Aktualitet

30 ditë afat/ KPP në heshtje për tenderin...Rrezikon sinjalin e RTSH-së dhe komunikimet e Policisë e SHISH-it

Dosja e tenderit për mirëmbajtjen e antenave, e dorëzuar nga Radiotelevizioni Shqiptar më 23 qershor pas ankesave të dy operatorëve humbës, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nga KPP.

Redaksia Zëri
30 ditë afat/ KPP në heshtje për tenderin...Rrezikon sinjalin e
foto ilustrim: ismail shehu-kreu i kpp

TIRANË- Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) vijon të mbajë pezull një procedurë të rëndësishme për institucionet strategjike, prej gati 3 muajsh. Dosja e tenderit për mirëmbajtjen e antenave, e dorëzuar nga Radiotelevizioni Shqiptar më 23 qershor pas ankesave të dy operatorëve humbës, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nga KPP.

Përgatitja e dokumentacionit të tenderit zgjati tre muaj, nga 26 marsi deri më 26 qershor, ndërsa pas shpalljes së procedurës, u regjistruan 3 operatorë konkurrues, u shpall fituesi dhe u administruan ankesat e paraqitura nga operatorët pjesëmarrës.

Më pas, këto ankesa iu përcollën Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), institucioni që shqyrton ankimet në procedurat e prokurimit publik, i cili brenda një afati 20-30 ditë duhet t'u kthente përgjigje subjekteve. Sipas përllogaritjes, afati maksimal duhet të ishte 26 korrike, duke llogaritur nisjen e procedurës më datë 26 qershor. 

Madje, KPP detyrohet me ligj të përgjigjet brenda 30 ditëve, edhe në kushtet kur nuk e ka ekspertizën e nevojshme dhe i duhet ta kërkojë atë nga një ent i tretë. Por, nga ana tjetër, KPP as nuk ka shpjeguar arsyet e vonesës dhe as nuk po e merr mundimin ta shqyrtojë dosjen, megjithëse në kullat e antenave të Radiotelevizionit Publik janë vendosur edhe antenat e radiove të Policisë, të Shërbimit Informativ dhe të Albcontrol.

Por, çfarë do ndodhte gjatë kësaj kohe, nëse do të shfaqej ndonjë problem pa patur akoma një fitues për mirëmbajtje?

Pasojat do të ishin serioze: Trafiku ajror do të mbetej pa kontroll dhe fluturimet, deri sa KPP të vendosë të hapë dosjen. Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur në të njëjtat kulla ndodhen antena të SHISH-it dhe Policisë, me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. 

Të gjitha këto pasoja kanë një shkak: vonesën e KPP-së, e cila nuk ka dhënë përgjigje brenda afatit ligjor dhe, për më tepër, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë vonesë./ZËRI

Poll

MOS HUMB