
TIRANË-Ministria e Jashtme ka reaguar pas lajmit se një furgon me turistë shqiptarë u përplas në Katania të Siçilisë. Në një deklaratë për mediat, ministria thotë se turistët shqiptarë ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme nga autoritetet. Ndërkohë, ministria thotë se ambasada po ndjek situatën.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, menjëherë pas informacionit mbi aksidentin automobilistik në Katania, është vënë në komunikim me autoritetet italiane, përmes ambasadës së RSH në Romë dhe konsullatave të RSH në Milano e Bari. Sipas informacioneve paraprake, të gjithë të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme nga autoritetet shëndetësore e janë jashtë rrezikut për jetën. Me porosi të Ministrit Igli Hasani, përfaqësuesit e ambasadës dhe konsullatave po monitorojnë situatën e janë në kontakt të vazhdueshëm me palën italiane”, thuhet në deklaratë.
Aksidenti ka ndodhur pasditen e sotme në Santa Venerina, në zonën e Katanias, ku një minibus me turistë shqiptarë ka pasur probleme me frenat dhe ka përfunduar duke u përplasur me një mur. Raportohet se të plagosur kanë mbetur të 16 turistët që ndodheshin në mjet. Fatmirësisht, asnjë prej personave nuk ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore./ZËRI