
TIRANË- Si sot, 13 vite më parë u nda nga jeta prokurori i Krimeve të Rënda, Xhevat Hana. Hetuesi u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare në Itali, ku ishte shtruar pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai qëndroi i shtruar për një kohë të gjatë në një spital publik të Tiranës, por familjarët u detyruan ta transportonin në Itali për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Familjarët e tij, pas vdekjes, hodhën menjëherë dyshimet se Hana ishte vrarë duke u helmuar, por pretendimet e tyre edhe sot mbeten pa një përgjigje. Vjet, vëllai i tij shkruante në rrjetet sociale se hetuesit ia kishin marrë jetën "bishat e pushtetit", por nuk përmendte emra.
"Perkujtimore! Në 11-vjetorin e ndarjes padrejtësisht nga jeta të vëllait tonë, prokurorit Xhevat Hana! Kriminelët gjakpirës, bishat vrastare të pushtetit që kanë lyer duart me gjak, i morën jetën padrejtësisht dhe pabesisht në krye të detyrës vetëm për të mbuluar krimet dhe vjedhjet që kanë kryer në këtë vend dhe mbi njerëz të pafajshëm. Drejtësia për vëllanë tonë po vonon dhe do të vonojë përsa kohë personat që kanë kryer këtë krim janë të pushtetshëm dhe qëndrojnë të ulur në karriget e ligjvënësit,"-shkruan Selami Hana.
Xhevat Hana ishte një nga prokurorët më të njohur të Shqipërisë, me një karrierë të gjatë në drejtësi, për disa kohë dhe si këshilltar i Presidentit Alfred Moisiu. Ai ka shërbyer për një periudhë të caktuar edhe si pjesë e strukturës në zyrën e Avokatit të Popullit. Po ashtu, Xhevat Hana ka qenë pjesë e akuzës ndaj çështjes së Myrteza Çaushit (Zani i Çoles) si dhe në çështjen e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha.
Gjithashtu, ai ka përfaqësuar organin e akuzës edhe në çështjen e rrugës "Durrës-Kukës", në kohën kur ministër ishte Lulzim Basha. Ishte po Hana, ai që ka insistuar në ekstradimin nga Anglia e ish-agjentit të SHIK-ut Ilir Kumbaro drejt vendi tonë.
KARRIERA E HANËS
I lindur në Librazhd më 28.03.1953, e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, në Sarandë në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa vitet e fundit si prokuror pranë Prokurorisë Për Krimet e Rënda Tiranë.Gjithshtu Z. Xhevat Hana në periudhën 2003–2005 ka qenë Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, si dhe Ndihmes/komisioner ne Institucionin e Avokatit te Popullit./ZËRI