Aktualitet

112-vjetori i Policisë, ministri Hoxha: Lufta kundër krimit të organizuar, sfidë!

Hoxha i vetëdijshëm për ngarkesën me të cilën përballet trupa policore kërkoi të jenë në lartësinë e duhur, gjatë periudhës zgjedhore.

F.I
112-vjetori i Policisë, ministri Hoxha: Lufta kundër krimit të
Ervin Hoxha

TIRANË-Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka deklaruar se në 112-vjetorin e krijimit të policisë së shtetit, 112 përkon me numrin e emergjencave, një numër që ndodh vetëm një herë. Ai ka thënë se kjo ditë është e shënuar për historinë e popullit shqiptar, pasi shumë nga forcat blu kanë dhënë dhe jetën për shtetin shqiptar. Në fjalën e tij, ai renditi mes të tjerash luftën kundër korrupsionit dhe  krimit të organizuar si dhe garantimin e sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë, përfshirë kontrollin e plotë të territorit.

“Në këto ditë të para të vitit 2025 bashkë me urimet për të gjjithë ju, dëshiroj të përcjellë një mesazh me shumë përgjegjësi. Është e vërtetë që ky përvjetor përkon me numrin unik të emergjencave që ne kemi 112, prandaj ky simbol mund të ndodh vetëm një herë. Edhe lutem që ta konsiderojnë këtë numër si një barrë që duhet kapërcyer. Megjithatë unë kam besim te strukturat e policisë së shtetit, me ndryshimet e strukturave, synimet tona për rezultatet duhet të jenë të legjitimuar. Procesi i ndryshimit të strukturave drejtuese meriton jo vetëm meritokraci, por te drejtuesit e ri shoh gjithçka që do të udhëhiqet me vendosmëri. Lufta kundër korrupsionit është sfidë për ne:

– Garantimi i sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë, përfshirë kontrollin e plotë të territorit;

-Rritjen e efektivitetit në hetimin e rasteve të dhunës në familje, trafikimit apo krimeve që i konsiderojmë të vogla por që cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve tanë.

–  Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, është një tjetër kërkesë dhe detyrë për ju, duke siguruar që çdo qytetar të ndjejë mbështetje dhe të merret në mbrojtje kur të jetë në nevojë nga Policia e Shtetit, tha ministri.

Më tej ai tha se puna e strukturave drejtuese të policisë nuk matet vetëm nga urdhrat që jepen nga zyra, por edhe  nga shembulli dhe modeli që demonstroni çdo ditë, në çdo veprim apo vendim tuajin.

“Më lejoni t’ju kujtoj këtu edhe njëherë se puna e strukturave drejtuese të policisë nuk do të matet vetëm nga numrat e rasteve dhe problematikat e zgjidhura, por edhe nga perceptimi i sigurisë nga qytetarët. Nuk do të matet vetëm nga urdhrat që jepen nga zyra, por edhe nga shembulli dhe modeli që demonstroni çdo ditë, në çdo veprim apo vendim tuajin. Dëshiroj të shoh një trupë drejtuese që nxit bashkëpunimin dhe transparencën, jo vetëm brenda radhëve të policisë, por edhe me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm, por që për të ecur përpara drejt Shqipëria2030, kemi nevojë për institucione të forta, të drejta dhe të besueshme. Pjesë integrale e këtij vizioni është brezi i ri i drejtuesve”, u shpreh Hoxha.

112 vjetori i policisë përkon gjithashtu me vitin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 11 maj. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i vetëdijshëm për ngarkesën me të cilën përballet trupa policore kërkoi të jenë në lartësinë e duhur, gjatë periudhës zgjedhore.

“Përveç barrës së zakonshme të punëve dhe detyrave që keni, viti 2025 ju sjell edhe një ngarkesë shtesë, jo të lehtë për Policinë e Shtetit dhe vetë Ministrinë e Brendshme. E kam fjalën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë dekretuar për t’u zhvilluar në datë 11 maj. Sipas kodit elektoral, policia ka detyra specifike në sigurimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim kohe dhe energjie të shtuar, për çdo punonjës policie. Qoftë për ata të caktuar drejtpërdrejt në shërbimet përkatëse në garantimin e procesit, qoftë për pjesën tjetër, të cilëve do t’iu rritet ngarkesa në punë. Megjithatë, unë kam besim se strukturat e Policisë së Shtetit zotërojnë aftësitë e duhura, integritetin dhe përkushtimin e kërkuar, për të qenë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë"-u shpreh Hoxha.

Poll

MOS HUMB