
KOSOVË- Shefi i stafit të Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka reaguar në lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Ferizaj, ku efektivi i Policisë, Festim Ramadani ekzekutoi me armë zjarri të afërmin e tij Sadri Sadriun. Sipas informacioneve të pakonfirmuara që dolën në mediat e Kosovës, vrasja ndodhi nën dyshimet për “ngacmim seksual” të dy vajzave (familjare të policit të dyshuar Festim Ramadani), nga ana e viktimës. Po ashtu u raportua se bashkëshorti i Vjosa Osmanit dhe kjo e fundit ishin futur në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për tashmë viktimën Sadri Sadriu, për situatën e ndodhur.
Shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, cilëson se “kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë”. Ai tha se “Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”. Kupina tha se çifti Sadriu nuk përdorin “asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social”.
“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje. Presidentja dhe as Zotëria i Parë nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze. Kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë. Presidentja do t’i kundërshtoj me çdo mjet ligjor këto tendenca dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë. Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Kjo nuk ka të bëj me standard profesional të raportimit në media. Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”, tha Kupina.
Po ashtu edhe vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka mohuar lidhjen me ngjarjen. Osmani shkruan se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që çuan në vrasjen e mbrëmshme.
“Reagim ndaj propagandës. Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera. I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi”, ka shprehet presidentja e Kosovës, ndërsa shton se institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të merren me këtë rast.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ndodhi mbrëmjen e djeshme, ku thotë se efektivi ka qenë jashtë detyrës zyrtare. Përveç Ramadanit që u vetëdorëzua në Polici, në orët pas ngjarjes është vënë në pranga dhe një bashkëpunëtor i tij. /ZËRI