HIMARË-Disa ditë më parë ZËRI raportoi për zjarrin që përfshiu kodrën mbi Gjirin e Llamanit në Himarë, zonë e cila përkonte me territorin ku është parashikuar zhvillimi i një resorti turistik me sipërfaqe rreth 101 mijë metra katrorë nga kompanina “Bega 07” e Arben Muçobegës. Raportimet për resortin i cili parashikon ndërtimin e një hoteli me 5 yje, 50 vila, apartamente, restorante dhe ambiente të tjera turistike të shpërndara përgjatë gjithë shpatit të kodrës shoqërohen edhe me dokumente.
Vetë kompania në një reagim publik ka mohuar një lidhje të tillë dhe i cilëson publikimet në media si të pavërteta dhe keqinformues për opinionin publik. Bega 07 shprehet se raportimetr nuk bazohen në fakte dhe e cilëson një mekanizëm që synon cenimin e integritetit të kompanisë.
Në argument thuhet se shkaku i zjarrit është ende në hetim dhe nuk mundet që vetë kompania të ketë ndezur zjarrin, pasi prej më shumë se një dekade ushtron një nga aktivitetet e saj pranë zonës ku ka ndodhur rasti. "Bega - 07" sh.p.k. thekson se është një kompani që vlerëson median dhe të drejtën e fjalës, por, mbi të gjitha, respekton Kodin Etik të Gazetarisë, sipas të cilit lajmi duhet të verifikohet dhe e vërteta duhet të mbizotërojë. Sa i përket projektit në reagimin publik bëhet me dije se investimet në territorin e Himarës zhvillohet mbi prona private, për të cilat janë lidhur marrëveshje të rregullta me pronarët përkatës dhe nuk përfshin asnjë sipërfaqe publike apo pronë pa titull pronësie.
REAGIMI PUBLIK I BEGA 07:
Në vijim të publikimeve të fundit në disa media dhe portale online lidhur me zjarrin e rënë në zonën e Llamanit, Bashkia Himarë, shoqëria "Bega - 07" sh.p.k. e sheh të nevojshme të sqarojë opinionin publik se përfshirja e emrit të saj në këto publikime përbën dezinformim publik dhe, në rastin më të keq, publikim të qëllimshëm të një lajmi të pavërtetë.
Së pari, theksojmë se pretendimet e publikuara, të cilat e lidhin shoqërinë tonë me ngjarjen në fjalë, janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në asnjë fakt apo provë. Aludimet se pas zjarrit qëndron shoqëria "Bega - 07" sh.p.k. jo vetëm që janë një e pavërtetë absolute, por edhe amplifikimi i tyre na bën të besojmë se kemi të bëjmë me një mekanizëm keqinformues, që synon cenimin e integritetit të punës sonë.
Shkaku i zjarrit dhe autorësia e tij mbetet objekt verifikimi dhe hetimi nga institucionet kompetente. Deri në përfundimin e tyre, çdo përpjekje për të përcaktuar përgjegjësi apo për të fajësuar një subjekt të caktuar është tendencioze, e pambështetur në fakte dhe e papërgjegjshme. Është me rëndësi të theksohet se kompania jonë ushtron një nga aktivitetet e saj pranë zonës ku ka ndodhur zjarri. Ky është një aktivitet ekzistues prej më shumë se një dekade dhe vijon të jetë plotësisht aktiv. Pikërisht për këtë arsye është e pakuptimtë të pretendohet se kompania jonë do të kishte interes të shkaktonte një zjarr në kulmin e sezonit turistik, duke rrezikuar mjedisin ku zhvillon aktivitetin e saj, sigurinë e klientëve dhe punonjësve, si dhe asetet dhe investimet e krijuara ndër vite. Njëkohësisht, ne inkurajojmë që ky rast, i cili fatmirësisht nuk shkaktoi asnjë pasojë në njerëz, por vetëm dëme në mjedis dhe natyrë, të hetohet deri në fund dhe përgjegjësit të ndëshkohen sipas ligjit.
Rikujtojmë se, jo vetëm në këtë rast, por në çdo rast të krimeve mjedisore dhe jo vetëm, kemi mbajtur dhe do të vazhdojmë të mbajmë një qëndrim të qartë distancues, duke mbështetur zbatimin e ligjit. Duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të informimit publik, u bëjmë thirrje mediave dhe gazetarëve që, përpara publikimit të çdo informacioni që lidhet me
shoqërinë tonë, të respektojnë detyrimin profesional për verifikimin e fakteve, konsultimin e burimeve zyrtare dhe
marrjen e qëndrimit të të gjitha palëve të përfshira ose të përmendura në një lajm. "Bega - 07" sh.p.k. është një kompani që vlerëson median dhe të drejtën e fjalës, por, mbi të gjitha, respekton Kodin Etik të Gazetarisë, sipas të cilit lajmi duhet të verifikohet dhe e vërteta duhet të mbizotërojë.
Nëpërmjet këtij sqarimi dhe reagimi publik, shoqëria "Bega - 07" sh.p.k. bën me dije se është një kompani zhvilluese në territorin e Bashkisë Himarë, në përputhje me Lejen e Zhvillimit të miratuar dhe të regjistruar sipas legjislacionit shqiptar në fuqi. Projekti zhvillohet mbi prona private, për të cilat janë lidhur marrëveshje të rregullta me pronarët përkatës dhe nuk përfshin asnjë sipërfaqe publike apo pronë pa titull pronësie. Që nga dita e themelimit, prej gati 20 vitesh, shoqëria "Bega - 07" sh.p.k. e ka ndërtuar veprimtarinë e saj mbi përkushtimin, integritetin, përgjegjësinë sociale, respektin për mjedisin dhe profesionalizmin e ekipit të saj. Rritja dhe zhvillimi i kompanisë, e cila operon që prej vitit 2007, janë rezultat i drejtpërdrejtë i punës së palodhur, besimit të klientëve dhe realizimit me sukses të projekteve në shumë qytete të Shqipërisë, përfshirë edhe kryeqytetin, Tiranën.
Çdo projekt i zhvilluar nga kompania jonë është realizuar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, standardet e sigurisë teknike, normat e Bashkimit Evropian, si dhe në harmoni me territorin, peizazhin dhe karakteristikat e vendndodhjes ku zhvillohet. Po ashtu, theksojmë se çdo projekt i yni, në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen, bazohet vetëm mbi prona private, të siguruara përmes marrëveshjeve dhe negociatave të ligjshme me pronarët përkatës. Veprimtaria jonë është udhëhequr gjithmonë nga respektimi i së drejtës së pronës, transparenca dhe zbatimi i standardeve më të larta profesionale në çdo fazë të zhvillimit të projekteve. Këto parime kanë qenë dhe mbeten themeli i veprimtarisë sonë.
