Bota

Vrasja që tronditi Pejën! 2 orë pas denoncimit për dhunë në familje, Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj

Ndërkohë, mësohet se 3 ditë para krimit, viktima kishte kërkuar mbrojtje nga Prokuroria. Në një letër dërguar Prokuorisë, Zekaj kërkonte veprim nga institucionet.

zh.ll

Vrasja që tronditi Pejën! 2 orë pas denoncimit për

KOSOVË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Pejë, ku Arlinda Zekaj u gjet e vdekur në banesën e saj. Sipas mediave kosovare, Zekaj u gjet e vrarë vetëm disa orë pasi kishte denoncuar dhunën në familje, ndërsa për krimin e rëndë është shpallur në kërkim Albert Sylaj, kunati i viktimës.

Ndërkohë, mësohet se 3 ditë para krimit, viktima kishte kërkuar mbrojtje nga Prokuroria. Në një letër dërguar Prokuorisë, Zekaj kërkonte veprim nga institucionet.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë të njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja. Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan -jo burri. E dhimbshme deri në asht”, thuhet në letër.

Vrasja që tronditi Pejën! 2 orë pas denoncimit për

Raportohet se në shtëpinë e përbashkët qëndronin edhe familjarë të ish bashkëshortit ndërsa sipas avokatëve ajo po luftonte për të marrë kujdestarinë  e fëmijës ku vendimi i gjykatës nuk ishte zbatuar në plotësi sipas viktimës.

Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë ka kërkuar verifikimin e veprimeve të Prokurorisë dhe Policisë në rastin e Arlinda Zekajt. Prokuroria bën me dije se pas ngjarjes janë kërkuar raporte të detajuara për trajtimin e denoncimeve të saj. Sipas Prokurorisë, në rast se konstatohen shkelje ligjore do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjës

Postimi i plotë:

Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt dhe autorizon analizimin e veprimeve institucionale

Prishtinë, 26 tetor 2026 -Kryeprokurori i Shtetit, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, ka ndërmarrë veprime për të shqyrtuar trajtimin institucional të rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u privua nga jeta më 25 tetor 2026 në Pejë.

Në këtë drejtim, Kryeprokurori i Shtetit ka autorizuar koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve, në të cilat viktimë ka qenë e ndjera Arlinda Zekaj.

Po ashtu, nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar raport i detajuar me shkrim lidhur me kronologjinë e trajtimit të rasteve të së ndjerës, duke përfshirë identitetin e personave të raportuar dhe cilësimin juridik të rasteve; të dhënat për prokurorët kujdestarë dhe prokurorët që i kanë trajtuar rastet; veprimet procedurale të ndërmarra dhe kohën e ndërmarrjes së tyre; vendimet e nxjerra dhe arsyetimin përkatës; vlerësimin e rrezikut dhe masat e kërkuara ose të ndërmarra për mbrojtjen e viktimës; komunikimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante; si dhe trajtimin e shkresës së viktimës të datës 22.10.2026 dhe çdo informacion tjetër me rëndësi për vlerësimin e plotë të veprimeve të Prokurorisë.

Gjithashtu, Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar që, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, të ndërmarrë veprimet përkatëse hetimore dhe verifikuese lidhur me trajtimin e të gjitha rasteve të raportuara nga e ndjera në Policinë e Kosovës.

Këto veprime përfshijnë shqyrtimin e mënyrës së pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të raportimeve të saj, si dhe të veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë së tyre dhe identifikimit të përgjegjësisë eventuale individuale dhe institucionale.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme.

Pas pranimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe raporteve përkatëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale, në përputhje me kompetencat përkatëse.

Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit rithekson se çdo pretendim për mosveprim apo trajtim të papërshtatshëm institucional duhet të shqyrtohet në mënyrë të plotë, objektive dhe profesionale, me qëllim të sqarimit të të gjitha rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësive eventuale.

MOS HUMB