
TIRANË-Është shtyrë seanca për Dritan Rexhepi dhe të pandehurit e tjerë, të cilët akuzohen për rrëmbimin e Jan Prengës. Seanca e radhës u caktua për në datën 21 maj ora 09:00. I pranishëm në seancë ishte Aldo Majnishta, një prej të pandehurve për rrëmbimin e Jan Prengës i cili nuk ka pranuar të dëshmojë.
Në seancën e kaluar Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar transkriptimet e bisedave të zhvilluara në SkyECC mes Dritan Rexhepit, Altin Hajrit dhe Gentian Funiqit. SPAK pretendon se është kryer procesverbali i identifikimit të PIN-it të përdorur nga Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi e Altin Hajri dhe se të tre bisedojnë për zhdukjen e Prengës, ngjarje për të cilën kopshtari Festim Bixhdili ndodhet pas hekurave.
Në seancën e parë gjatë dëshmisë së tij, Dritan Rexhepi ka mohuar të ketë lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020. Ai mohon të jetë Gramosi që del në përgjime, madje ka kërkuar që Prokuroria t’i publikojë ato dhe të bëjë edhe një ballafaqim mes tij dhe vëllait të Jani Prengës. Gramos Rexhepi gjithashtu ka mohuar lidhjen me Gentian Funiqin, i cili akuzohet se dha urdhrin për rrëmbimin e Jan Prengës në janar 2020.
Jan Prenga u rrëmbye dhe zhduk si hakmarrje për grabitjen e një ngarkese me mbi 100 kg kokainë në Angli nga vëllai i viktimës, ngarkesë që dyshohet se i përket grupit të drejtuar nga Dritan Rexhepi, i cili gjithashtu ndodhet pas hekurave, por ka mohuar çdo lidhje me krimin në fjalë. Por edhe këtë gjë, Rexhepi e mohon duke thënë se nga burgu nuk ka bërë kurrë trafik droge dhe për rrjedhojë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë ngarkesë. Madje ai mohon të ketë dëgjuar ndonjëherë emrin e Altin Hajrit. Altin Hajri është ende në kërkim./ZËRI