TEPELENË- Nga ngjarja misterioze ku mbeti i vrarë biznesmeni italian Edoardo Sarchi ditën e djeshme, kanë dalë detaje dhe dëshmi të reja. Sipas deklarimeve që kanë dhënë në polici Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij, Gazmendi dhe Danieli, të cilët e shoqëronin biznesmenin, ata janë shprehur se janë sulmuar nga një person misterioz. Dëshmi të ngjashme ka dhënë edhe një bari, i cili ndodhej në vendngjarje në orën 00:23 të mëngjesit të së shtunës.
Katër dëshmitarët janë shprehur se fillimisht kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri shumë afër vendit ku ndodhi ngjarja, çka i ka bërë të ndalojnë makinat. Fillimisht ka ndaluar Land Rover-i, në të cilin ndodheshin biznesmeni dhe njëri prej Braçëve, dhe më pas ka ndaluar makina e dytë. Pasi kanë qëndruar për dy minuta të ndaluar në vend, është dëgjuar një breshëri tjetër, ndoshta në ajër. Në atë moment, dëshmitarët tregojnë se është shfaqur para makinës një person me automatik në dorë, i cili ka hapur zjarr në drejtim të gomave të Land Rover-it, pa thënë asnjë fjalë. Të trembur, biznesmeni italian dhe personat e tjerë janë fshehur pas mjetit.
Nga të shtënat, thuhet se është çarë goma e përparme e mjetit Land Rover, ndërsa “autori misterioz” ka qëlluar për herë të dytë duke plagosur rëndë biznesmenin në këmbën e djathtë, duke i shkaktuar hemorragji të madhe. Në dëshminë e tyre, djemtë e Eqerem Braçit janë shprehur se kanë lajmëruar menjëherë policinë për ngjarjen e ndodhur në vendin e quajtur Dilan.
Megjithatë, dje të njëjtët persona dhanë dëshmi kontradiktore para grupit hetimor. Para policisë, ata janë shprehur se disa persona u kishin bërë pritë në rrugë dhe më pas kishin qëlluar me armë drejt biznesmenit, ndërsa më vonë u shprehën se italianin e gjetën në rrugë të qëlluar dhe se ai u vdiq në duar. Nga këto dy dëshmi, nuk dihet ende me siguri nëse kemi të bëjmë me një vrasje të planifikuar apo me një ngjarje aksidentale.
Në fshatin Salari, aty ku ndodhi ngjarja, nuk ka asnjë kamerë sigurie. Megjithatë, policia ka gjetur dy armë gjahu në vendngjarje, të cilat janë dërguar për ekzaminim për të përcaktuar nëse është qëlluar me to apo jo. Bashkë me armët, si prova materiale do të merren edhe dy automjetet: Volkswagen-i në pronësi të italianit Edoardo Sarchi dhe Land Rover Defender-i në pronësi të njërit prej të shoqëruarve.
Po ashtu, janë gjetur edhe shenja gjaku pranë makinës Land Rover, që përshkojnë një pjesë të vogël të rrugës, duke treguar se italiani është lëvizur nga vendi ku është qëlluar me armë./ZËRI

