Aktualitet

Grabitet zyra e PD-së në Cërrik, autorët marrin TV e kompjuterin! Demokratët: Akt i PS, donin emrat e votuesve

Mësohet se grabitësit kanë marrë televizorët dhe kompjuterat që ndodheshin në zyrë.

F.I
Grabitet zyra e PD-së në Cërrik, autorët marrin TV e
PAMJE NGA ZYRA

CËRRIK-Zyra elektorale e Partisë Demokratike në Cërrik ka rënë pre e grabitjes. Incidenti është regjistruar gjatë mbrëmjes së djeshme (1 prill). Mësohet se grabitësit kanë marrë një televizor dhe një kompjuter që ndodheshin në zyrë. Vjedhja është denoncuar nga Partia Demokratike. Nga të dhënat paraprake nuk janë konstatuar shenja thyerje.

Njoftimi i policisë;

Rreth orës 07:40 të mëngjesit të sotëm, ka kallëzuar shtetasja A. Ll., me detyrë sekretare e degës së subjektit politik “Partia Demokratike e Shqipërisë”, Cërrik, se në ambientin e marrë me qira (lokal), për qëllime elektorale, ka konstatuar se mungonin 1 kompjuter dhe 1 televizor. Nga këqyrja paraprake në vendngjarje nuk janë konstatuar thyerje apo dëmtime të objektit. Në drejtimin e Prokurorisë, grupi i posaçëm hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e rastit.

Në lidhje me ngjarjen kandidatët për deputet të Partisë Demokratike në Cërrik, Blendi Himçi dhe Ira Boja pretendojnë se zyra u bastis nga individë të lidhur me PS-në, të cilët morën kompjuterët, televizorët dhe të gjithë dokumentet e ndjeshme, duke përfshirë ato të zgjedhjeve elektorale. Sipas tyre këto materiale janë përdorur për të mbledhur emrat e votuesve të sigurt dhe për të ushtruar presion ndaj komisionerëve dhe personave të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor.

Blendi Himçi: Në orët e vona të natës është bastisur zyra e degës së PD Cërrik nga banditë të Partisë Socialiste, ku kanë marrë kompjuterin, televizorin dhe të gjitha dokumentet e një karakteri mjaft sensitiv të zgjedhjeve elektorale, për të marrë emrat e votuesve të sigurt dhe elementët e emrave të komisionerëve dhe janë marrë për të bërë presion ndaj personave që kanë emra në këto lista. Frika e Partisë Socialiste për humbjen e zgjedhjeve të 11 majit ka trokitur dhe këto janë veprimet më të ulëta që PS ka përdorur me persona të cilët përdoren nga drejtuesit dhe krerët politikë, dhe që, siç e shikoni, kam konstatuar vjedhjen e materialeve me karakter sensibil, siç ju thashë. Ne i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese dhe policisë së shtetit të gjejnë urgjentisht banditët, ndryshe ata do të jenë pjesë e kësaj frike politike.

Ira Boja: Duket qartë se ky është një sulm politik. Frika ka trokitur në dyert e PS dhe ata po bëjnë krim elektoral. Ne i bëjmë thirrje policisë së shtetit të marrë masat e nevojshme për të zbardhur dhe shpërndarë këtë ngjarje. Kjo është një ngjarje mjaft sensitive dhe qytetarët, jo vetëm të Cërrikut, por edhe të Shqipërisë, nuk duhet të alarmohen, dhe krimi askund nuk duhet të mbizotërojë mbi të drejtat.

Edhe drejtuesi politik për qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti hodhi akuza ndaj PS se qëndron pas ngjarjes së ndodhur gjatë natës, ku u vodh dega e PD në Cërrik. Alizoti e cilësoi ngjarjen një akt burracak politik, ndërsa theksoi se në kompjuterin e vjedhur kishte listat e sigurta të votuesve të PD, që sipas tij, tani janë në duart e kundërshtarit. 

Tomor Alizoti: Thyerja e zyrës është akt politik dhe nuk bëhet fjalë për sendet por për cënimin e një zyre gjatë fushatës elektorale. Kompjuteri përmban listat e sigurta të votuesve të demokratëve, i cili është informacioni i PD dhe është në duart e kundërshtarit. Ta shohin të gjithë ata që besojnë te BE, ambasadorët e OSBE dhe SPAK pasaportën evropiane. Zoti kryeministër, e di që jeni një njeri banal. E di që çdo hajdut është i lidhur me ju, si në Saranda, Shkodër, Elbasan, ju jeni prijësi i hajdutëve. Keni qenë që te gjyshi e deri te ju. Ju jeni vetë banaliteti, të jeni të sigurtë se është kënaqësia jonë si PD të shtypim njerëzit banalë. Kjo që keni bërë sot duke cënuar degët elektorale është një akt i turpshëm, akt burracak politik por vetëm na vërteton se çdo hajdut dhe kriminel në Shqipëri është mik i juaj. Thirrja ime është për demokratët dhe qytetarët që të qëndrojnë dhe të kuptojnë se në BE nuk shkohet me xhepista edhe thyreje xhamash.

Autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar, ndërsa Policia po kryhen hetimet në lidhje me grabitjen në mes të fushatës./ZËRI

Poll

MOS HUMB