TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, po vijon me emërimin e figurave të reja në drejtim të komisariateve në të gjithë vendin. Këtë të shtunë janë njoftuar lëvizjet të reja, ku janë emëruar 3 drejtues të rinj të komisariateve të policisë në Kuçovë, Mallakastër dhe Vlorë.
Për herë të parë një grua do të drejtojë Komisariatin e Policisë së Kuçovës. Ajo është komisare, Edjona Duro, e cila mbante detyrën e Shefes së Seksionit për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, në Policinë e Tiranës. Duro ishte e vetmja grua që garoi për shef komisariati dhe u shpall në listën fituese.
Ndërkohë, ish-shefi i komisariatit të Policisë Kuçovë, Kleant Serdari është emëruar shef i Komisariatit të Policisë Mallakastër. Ish-shefi i Komisariatit të Policisë Mallakastër, Bledar Metaj është emëruar shef Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë.
Emërimet e reja vijonë në kuadër të lëvizjeve dhe reformimit të strukturës drejtuese në nivel vendor./ZËRI/