
TIRANË- Një grabitje ka ndodhur në një banesë në Tiranë. ZËRI ka mësuar se "pre" e grabitësve ka përfunduar banesa e një mjeku pediatër, Dritan Alushanit. Autorët janë futur në banesë, e cila ndodhet pranë një qendre tregtare në zonën e “Zogut të Zi” në kryeqytet, duke marrë kasafortën me rreth 15 mijë euro brenda saj. Përveç sendeve me vlerë kanë marrë edhe dokumente, por edhe USB dhe hardisk me të dhëna. Aktualisht, 2 prej grabitëve janë vendosur në pranga. Ata janë identifikuar si: Lejdjan Gjoka dhe Arbnor Xhimaj. Ky i fundit ishte në masën e sigurisë "arrest shtëpi", pasi ishte i dënuar për vjedhje. Por kishte thyer masën e sigurisë për të kryer një tjetër shkelje.
Në pamjet e publikuara nga Policia, duken dy autorët që rreth orës 5 të mëngjesit dalin nga ashensori me kasafortën në duar, dhe e fusin në mjetin e tyre.
PAMJET E PUBLIKUARA NGA POLICIA:
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.
Vodhën kasafortën me 15 000 euro, në një banesë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Të 2 të arrestuarit, të dënuar më parë për vjedhje. Njëri prej tyre, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për këtë vepër penale. Sekuestrohet automjeti i dyshuar i përdorur nga autorët, për të realizuar vjedhjen. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Reagimi", për zbardhjen e rastit.
Si rezultat i operacionit u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: A. Xh., 40 vjeç dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, të dënuar më parë për vjedhje. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. Xh. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”. Nga hetimet e kryera gjatë operacionit dyshohet se këta shtetas, më datë 02.06.2025, kanë vjedhur një kasafortë me 15 000 euro, në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI