
DURRËS- Një përplasje ka ndodhur mesditën e sotme mes banorëve të zonës së Rromanatit në Durrës dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit. Banorët e zonës pretendojnë se Bashkia e Durrësit u ka rrëmbyer pronën. Ndaj edhe aksioni i sotëm ka hasur në rezistencën e banorëve. Një nga personat e shoqëruar ka kapur me kameran e telefonit momentin kur efektivët blu po shoqëronin forcërisht një të moshuar. Edhe pse vetë ishte në mjet, personi që ka kryer filmimet nuk ka pranuar që ta fikë aparatin celular, përkundrazi ka përcjellë një mesazh me të.
MOMENTI ME VIDEO:
Zonja: Ik, ik! Jo me zor jo! Jo se nuk jemi në Thumanë këtu. Jam në shtëpinë time. Jam në shtëpinë time.
Personi tjetër pasi polici tenton që t'i marrë telefonin: Nuk ma merr dot (telefonin) pa vendim gjykate, pa prokurori. Kush je ti këtu? More kriminela. Po grabisni pronën. Shife zoti Berisha shife. Po më grabisin. Nxirre direkt! Shife si po na grabisin pronën. Ti pa vendim prokurorie nuk e merr dot telefonin. Dua të bëj kallëzim.
Kjo video, përfundoi aty ku ishte e destinuar, dhe kryedemokrati Sali Berisha e publikoi në rrjetet e tij sociale. Në përshkrimin që i bën situatës, Berisha prretendon se banorët po shoqërohen nga Policia pasi IMT u ka prishur tokën e mbjellë me ullishte, për të ndërtuar një rrugë.
"Sjellje kriminale e narkobanditëve me uniformë ndaj qytetarëve të pambrojtur. Ndiqni videon ku disa banorë, mes të cilëve dhe një zonjë e vjetër shoqërohen nga policia pasi IMT u ka prishur tokën e mbjellë me ullishte, për të ndërtuar një rrugë! Krim! Krim! sb,"-shkruan Berisha krahas videos.
Ndërkohë që ende nuk ka asnjë sqarim nga Policia lidhur atë që ka ndodhur sot në Durrës.
Si ka nisur konflikti?
Sherri ka nisur për një pronë, e cila është në proces gjyqësor prej kohësh mes dy familjeve Kapllani dhe Shaba. Familja Kapllani tregon se është tokë që e kanë përfituar që në vitet 90’, ndërsa familja Shaba i ka bërë legalizimin në vitin 2013, ndaj edhe sot ka ndërhyrë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit për hapjen e rrugës./ZËRI