Aktualitet

Ajola Xoxa ankimoi sekuestron e celularit, shtyhet seanca në GJKKO

Seanca do të mbahet më 20 shkurt. 

F.I
Ajola Xoxa ankimoi sekuestron e celularit, shtyhet seanca në GJKKO
Ajola Xoxa

TIRANË-Seanca në Gjykatën e Posaçme për kthimin e celularit të sekuestruar të bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxës është shtyrë. Kërkesa e Ajola Xoxës ku kundërshtonte sekuestron do të shqyrtohej sot nga gjyqtari Erjon Bani. Seanca do të mbahet më 20 shkurt. 

Më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.

Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Gjatë seancës së kaluar Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe ndryshoi masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoca nga 'arrest shtëpie' në "detyrim paraqitje". SPAK akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online./ZËRI

Poll

MOS HUMB