
TIRANË- Kryebashkiaku i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është marrë në pyetje për më shumë se 3 orë nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sot, Veliaj ka dalë nga ambientet e paraburgimit të Durrësit dhe prej orës 10 të mëngjesit në godinën e Prokurorisë. Por nuk është i vetëm! Gjatë marrjes në pyetje Veliaj ishte i shoqëruar nga dy avokatët e tij dhe po jep shpjegime për disa çështje.
Sipas informacioneve të para, Veliajt i është komunikuar një akuzë e re, ajo e "futjes ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” në bashkëpunim. Kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose nga personi që ka për detyrë ruajtjen dhe sigurinë fizike ose që për shkak të detyrës ose profesionit ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.
Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI