Aktualitet

"Vdis sot, ringjallesh nesër"! Mësuesi u përjashtua pasi predikonte për Jehovain, zbulohen dëshmitë tronditëse, reagon Drejtoria Arsimore...

Mësuesi i anglishtes, Dritan Zaimi, dyshohet se kur jepte mësim, u fliste nxënësve të klasës së katërt për fenë e Jehovait.

zh.ll
"Vdis sot, ringjallesh nesër"! Mësuesi u përjashtua
Shkolla 9-vjeçare 'Gustav Majer' në Tiranë

TIRANË- Një mësues i shkollës 9-vjeçare "Gustav Mayer" në Tiranë është përjashtuar nga puna, pasi dyshohet se gjatë orëve të mësimit ka promovuar besimin fetar të Jehovait. Mësuesi i anglishtes, Dritan Zaimi, dyshohet se kur jepte mësim, u fliste nxënësve të klasës së katërt për fenë e Jehovait.

Rasti ka ngjallur shqetësim tek prindërit e nxënësve të klasës së katërt, të cilët kanë denoncuar mësuesin, i cili orët e mësimit i shndërronte në leksione me natyrë fetare. Situata është përkeqësuar kur bindjet e tij u bënë pjesë e programit mësimor, teksa sipas dëshmive të siguruara nga TopChannel, nxënësit ndiheshin të detyruar të merrnin pjesë në këto diskutime.

“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit.

“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, thonë prindërit.

Mësohet se disa prindër nuk kanë qenë në të informuar më herët për këto aktivitete dhe janë shprehur të tronditur pavarëisht rezultateve të mira të notave. Pas zbulimit të rastit, institucioni arsimor dhe drejtuesit rajonalë vendosën pushimin nga puna të mësuesit, si rast në shkelje të rregullores dhe ligjit që dikton arsimin laik.

Ndërkohë, për rastin ka reaguar zyrtarisht Drejtoria Rajonale për Arsimin Parauniversitar Tiranë, e cila ka dhënë detaje mbi procedurat e ndjekura. Në reagim, DRAP bën me dije se prej datës 3 shkurt, mësuesi Dritan Zaimi është larguar nga puna dhe nuk ka dhënë më mësim në shkollën "Gustav Majer".

Pas një ankese të depozituar nga dy prindër më datë 2 shkurt 2026, kanë nisur verifikimet në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Përfaqësues të drejtuesve të shkollës dhe shërbimit psikosocial kanë hyrë në orën mësimore të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet që ai përdorte gjatë procesit mësimor. 

DRAP bën me dije se më 2 shkurt 2026, drejtoria e shkollës ia ka referuar çështjen Komisionit të Etikës, i cili është mbledhur më 3 shkurt 2026 dhe ka marrë vendimin përfundimtar për largimin nga puna të mësuesit. 

Njoftimi i plotë i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Tiranë 

“Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës private 9-vjeçare ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor.

Bazuar në gjetjet e verifikimit, ndaj mësuesit D. Z. janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi. Konkretisht:

Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës (shkresa nr. 29 prot.), i cili u mblodh në të njëjtën datë.

Me shkresën nr. 30 prot., Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës.

Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna”.

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.

Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.

Që prej datës 03.02.2026, D.Z. nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën private 9-vjeçare.

Institucionet arsimore mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse.

Poll

MOS HUMB