KOSOVË- Një video e bërë virale, ku shihen disa të rinj që shkelin mbi flamurin shqiptar, ka ngjallur reagime të shumta nga qytetarët të cilët kanë kritkuar policinë për mosveprim. Siç shihet edhe në videon e mëposhtme të shpërndarë nga mediat kosove, të rinjtë hedhin në tokë flamurin dhe kalojnë mbi të me makinë.
Ndërkohë, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, ka sqaruar ngjarjen duke vënë në dukje se të përfshir janë dy të mitur. Sipas tij, të rinjtë kanë pranuar veprimin dhe kanë shprehur pendesë për këtë akt,pasi jnë marrë në pyetje në prani të prindërve.
“Me datë 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar nga dy të mitur në Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuarnga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar”, - ka thënë Bytyqi.
Veprimi i të miturve shkaktoi edhe reagimin e Vetëranëve të UÇK-së, duke shprehur indinjatën e thellë ndaj këtij akti. Përmes një deklarate të organizatës, bëhet thirrje që ky akt të mos relativizohet, pasi pasqyron krizën e thellë morale.
“Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, reagojmë me indinjatë të thellë dhe dënim të ashpër ndaj aktit të përdhosjes së flamurit kombëtar nga disa individë të papërgjegjshëm në qytetin e Suharekës.
Flamuri kuq e zi është simboli i gjakut dhe sakrificës, simboli që frymëzoi një popull të tërë për liri, që u ngrit mbi barrikada, e në zemrën e çdo shqiptari që nuk u përkul para pushtuesit.
Ky akt përbën, fyerje të rëndë ndaj kujtimit të Dëshmorëve tanë, përbuzje të vlerave të luftës çlirimtare dhe provokon rëndë moralin kombëtar, që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi. Ne, bashkërisht, kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e këtij akti të shëmtuar.
Bëjmë thirrje publike që ky rast të mos relativizohet, sepse ai është pasqyrë e një krize të thellë morale që duhet trajtuar me seriozitet dhe jo me indiferencë. Theksojmë se flamuri kuq e zi nuk është vetëm simbol i një shteti apo kohe, ai është vetë identiteti ynë kombëtar”, - deklarata e vetëranëve të UÇK.