
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka shpallur një listë me 10 kandidatura që kanë shfaqur interes për mbushur postin e lënë vakant nga dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska.Mes kandidatëve të bërë publikë nga Kuvendi i Shqipërisë bien në sy edhe emra të njohur deri më tani në drejtësinë shqiptare, si ish-krerët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit, Alfred Balla dhe Naureda Llagamin. Mes tyre është edhe ish-anëtarja e KLP-së, Nurihan Meta (Seiti). Kjo e fundit ishte në vëmendje të mediave pasi pak kohë më parë, djali i saj, Rei Meta në 7 gusht 2023 vrau duke e qëlluar me grusht biznesmenin e ndërtimit, Armando Meshau. Djali i anëtares së KLP-së pretendonte se viktima nisi i pari sherrin dhe se ai nuk kishe dashur ta vriste. Konflikti kishte nisur për një tokë që ai kishte ndërmjetësuar si sekser që Armando ta blinte por më pas nuk kishte marrë pjesën e parave që i ishin premtuar. Për vrasjen, djali i saj u dënua në Apel me 18 muaj burgim.
Lista e plotë e kandidatëve:
1. Alfred Balla, ish-kryetar i KLP
2. Eris Hysi, juriste, pedagoge
3. Gentian Zyberi, jurist
4. Irena Nino, Komisionere Publike te vetingu
5. Klodian Rado, jurist
6. Naureda Llagami, ish-kryetare e KLGJ
7. Nertila Sadedini, juriste, pedagoge
8. Nurihan Meta (Seiti), ish-anëtare i KLP
9. Roland Ilia, Komisioner në KPK
10. Sinan Tafaj, jurist, kryetar i shoqatës së të verbërve
Disa javë më parë, Elsa Toska njoftoi zyrtarisht dorëheqjen nga posti i saj, duke cituar "arsye personale", por nuk dha detaje të tjera. Pas dorëheqjes, trupa e Gjykatës Kushtetuese shpalli vakancën dhe njoftoi organin e emërtesës, që në këtë rast është Kuvendit, për vijimin me procedurat për zëvendësimin e Toskës. Zëvendësimi i saj vjen në një kohë "të vështirë" për Kuvendin pasi opozita ka paralajmëruar se nuk do të ketë marrëdhënie normale institucionale me institucionet dhe maxhorancën. Çështja qëndron në faktin se pasardhësi i Toskës duhet të zgjidhet me shumicë të cilësuar votash nga 140 deputetët e Kuvendit. Pra, minimalisht duhen jo më pak se 84 deputetë. Me shumë gjasa, zgjedhja e emrit që do të zëvendësojë Toskën do të mbetet pezull për disa kohë, derisa të ketë një urë dialogu mes maxhorancës dhe opozitës.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese rrezikon kolapsin pasi ka mbetur me 8 anëtarë. Vendimet që merr kjo Gjykatë, caktohen nga qëndrimet e anëtarëve, që do të thotë se në rast se votat ndahen 4 me 4, shumë çështje mund të mbeten pa një vendim final. Kështu cënohet vendimmarrja e institucionit më të larë të drejtësisë në vendin tonë. Për më tepër që largimi i Toksës mund të mos jetë i vetmi. Ka kohë që Kushtetuesen e ka pushtuar "hija e një skandali seksual".
Madje janë zbuluar mesazhet mes një gjyqtari dhe vartëses së tij. Po ashtu, edhe në media është raportuar se pritet dorëheqja e personit të përfshirë në skandal. Gjithashtu, vitin që vjen përfundon mandati i kryetares së GJK-së, Holta Zaçaj. Në këtë kushte, nga 8, Kushtetueses i mbeten vetëm 6 gjyqtarë në organikë./ZËRI