Aktualitet

Ultimatum deri në orën 16:00! Paga e magjistratëve hap 'luftën' me ekzekutivin, gjyqësori paralajmëron padi penale

Afati i fundit për zgjidhjen e ngërçit financiar skadon sot në orën 16:00.

F.I
Ultimatum deri në orën 16:00! Paga e magjistratëve hap
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Bllokimi i pagave për muajin gusht të magjistratëve ka hapur një konflikt institucional mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit. Shqetësimi për moskalimin nga Thesari i pagave të rritura të magjistratëve u ngrit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, një ditë më parë (3 shtator), ndërsa sot përplasja ka kaluar në paralajmërime për ndjekje penale. 

KLGJ e miratoi pagën referuese bazë me vendimin e datës 26 gusht, ndërsa KLP me vendimin e 28 gushtit, duke parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë.

Gazetari Arsen Rusta, ka deklaruar për MCN se e ashtuquajtura shtyllë e tretë e pushtetit po zhvillon një betejë të hapur me qeverinë, teksa afati i fundit për zgjidhjen e ngërçit financiar skadon sot në orën 16:00. Sipas tij situata është përshkallëzuar ndjeshëm në rang rrethesh, ku organet e akuzës po përgatisin hapat e parë ligjorë ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Financave në rast se urdhër-pagesat nuk ekzekutohen brenda afatit të vendosur pasditen e sotme. 

"Kemi mësuar sot se disa prokurori, si ajo e Fierit dhe ajo e Elbasanit, i janë drejtuar zyrtarisht Drejtorisë së Thesarit, duke i bërë të qartë se çdo minutë që vonohen pagat përbën një vepër të rëndë penale. Sipas tyre, ky bllokim artificial të çon drejtpërdrejt në konsumimin e elementeve të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, ndërsa afati i prerë është caktuar ora 16:00, kohë pas së cilës do të kërkohet përgjegjësi penale, ku mbetet për t'u parë nëse kjo përgjegjësi do të rëndojë mbi strukturat teknike apo mbi vetë Ministrin e Financave. Përgjigja e marrë nga bankat e nivelit të dytë dëshmon se ato kanë pasur një komunikim thjesht verbal që të mos ua japin pagat magjistratëve, gjë që tregon qartë se bankat private janë vënë nën presion të pastër politik për të mos zbatuar ligjin dhe urdhër-shpenzimet e dala nga institucionet përkatëse. Nga të gjitha verifikimet e kryera rezulton se në prokuroritë e vendit ka buxhet dhe financa të mjaftueshme për të marrë pagat vetëm për muajt gusht dhe shtator, ndërsa për muajin tetor nuk ka më fonde në dispozicion, gjithsesi,"-deklaron gazetari.

Nga ana tjetër, përmes një letre drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministri i Financave, Malaj, sqaroi se pagesat nuk janë ndaluar, por problematika lidhet me mënyrën e përllogaritjes së tyre. Sipas Ministrisë, listëpagesat dhe urdhërshpenzimet për muajin gusht janë paraqitur nga KLGJ dhe KLP mbi bazën e një metodologjie të ndryshme nga ajo që është në fuqi aktualisht. Për këtë arsye, kërkohet që dokumentacioni financiar të paraqitet sërish duke përdorur metodologjinë që është zbatuar deri në muajin korrik.

Ministria e Financave ka deklaruar se sapo parlamenti të miratojë ndryshimet e nevojshme ajo do të sigurojë burimet e nevojshme financiare për përballimin e çdo diference page që do të rezultojë e detyrueshme. Por magjistratët presin që pagat të jepen sot.

Poll

MOS HUMB