TIRANË-Ish-presidenti Ilir Meta pas 18 muajsh në qeli u shfaq për herë të parë publikisht në seancën në themel në GJKKO. Pamja fizike e tij ishte transformuar, ku kreu i Partisë së Lirisë kishte rënë shumë në peshë. Meta nga burgu ka pranuar ndryshimin, por thekson se dobësimi ka ardhur si shkak i stërvitjes.
"Jam i bindur se përshtypja apo çudia më e madhe ishte paraqitja ime në kafazin me ‘5 yje’. Ndërkohë e gjithë përpjekja e regjimit sorosist u përpoq të shpërqëndronte vëmendjen e publikut gjoja te paraqitja ime shëndetësore dhe madje edhe te gjendja ime ‘mendore’. Po, është e vërtetë, që jam dobësuar lidhur me peshën trupore, por kjo vjen për arsyen se çdo ditë bëj me intervale 4 orë stërvitje. Por, jam shumë më i shëndetshëm dhe i fortë se më parë,"- u shpreh Meta për Opinion.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI