Aktualitet

Jashtë shërbimit, u konfliktua për parkimin dhe nxorri armën, pezullohet polici (VIDEO)

Ngjarja ndodhi në lagjen e Laprakës, ku efektivi i policisë, jashtë orarit të punës, u përfshi në incident duke nxjerrë armën nga brezi.

zh.ll
Jashtë shërbimit, u konfliktua për parkimin dhe nxorri
pamje nga ngjarja

TIRANË- Policia e Shtetit ka pezulluar punonjësin e policisë, i cili ditën e djeshme u konfliktua dhe kanosi me armë punonjësin e një biznesi në zonën e Laprakës në kryeqytet. Ngjarja ndodhi në lagjen e Laprakës, ku efektivi i policisë, jashtë orarit të punës, u përfshi në incident duke nxjerrë armën nga brezi.

Sipas Policisë, punonjësi i saj, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, u konfliktua me shtetasin D. H. për motive të dobëta dhe dyshohet se e ka kanosur atë me armën e shërbimit. Në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.

Njoftimi: 

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.02.2026, në lagjen Laprakë, Njësia Administrative nr. 11, Tiranë, te pallatet malajziane, ku punonjësi i Policisë, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, për motive të dobëta, u konfliktua me shtetasin D. H., të cilin dyshohet se e ka kanosur me armën e shërbimit, informojmë se:

Menjëherë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit e ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë, Nënkomisar F. H., dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor.

Gjithashtu, në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.

Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore e procedurale Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka referuar materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”.

Në pamjet e publikuara të hënën në rrjete sociale, dukej momenti kur polici i nxjerr armën e shërbimit djalit me të cilin u konfliktua, teksa të pranishëm kishte persona të tjerë. Sipas informacioneve paraprake, konflikti dyshohet të ketë nisur pasi punonjësi i lokalit i kërkuan policit të largonte makinën e parkuar pranë ambientit të tyre, duke pretenduar se po pengonte zonën e shërbimit. Fillimisht ata kanë debatuar dhe më pas kanë kaluar në përplasje fizike, duke agravuar deri në nxjerrjen e armës nga ana e policit./ZËRI

Poll

MOS HUMB