Aktualitet

Sot i jepet lamtumira e fundit Astrit Kalasë/ Sot homazhet, gjyqtari do të prehet në qytetin e tij të lindjes

Homazhet do të mbahen në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ceremonia do të nisë në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri në orën 11:00. 

zh.ll
Sot i jepet lamtumira e fundit Astrit Kalasë/ Sot homazhet, gjyqtari do
Astrit Kalaja

TIRANË- Sot do të mbahen homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën dy ditë më parë pasi u qëllua me armë brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, teksa ishte në krye të detyrës. Homazhet do të mbahen në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ceremonia do të nisë në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri në orën 11:00. 

Përfaqësues të lartë të shtetit, kolegë nga sistemi gjyqësor, familjarë dhe miq do t’i japin lamtumirën e fundit gjyqtarit Kalaja. Ndërkohë, vizitat në qytetin e Shkodrës priten në shtëpinë funerale “Bushati”, prej orës 14:00-16:00. Ndërsa pas përfudimit të ceremonisë në Tiranë, arkivoli me trupin e tij do të përcillet drejt qytetit të lindjes, Shkodrës, ku në orët e pasdites (14:00–16:00) do të bëhet edhe varrimi. 

Por, kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja?

Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Kalaja ishte një emër i njohur në sistemin gjyqësor shqiptar, me një karrierë të gjatë e të respektuar, prej gati 32 vitesh. Ai është emëruar për herë të parë si magjistrat më 24 nëntor të vitit 1993 në Shkodër. Aty, ai shërbeu për shumë vite, para se të emërohej në Gjykatën e Apelit Tiranë. 

62-vjeçari shërbente si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ai kishte kaluar me sukses procesin e Vettingut, duke vijuar ushtrimin e detyrës si pjesë e trupës gjyqësore që kishte kaluar filtrat e reformës në drejtësi.

Kalaja, e ka kaluar Vettingun në vitin 2019 dhe u rikonfirmua në detyrë. Por, pavarësisht rikonfirmimit, komisioneri publik kërkoi shkarkimin e Kalajës nga detyra, pasi pretendonte se gjyqtari nuk ka bërë deklarimin e mjaftueshëm të një apartamenti, e të një sipërfaqe toke. Bëhej fjalë për një një apartament me sipërfaqe 109,5 m2, si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë brenda së cilës ndodhet edhe një ndërtim informal përdhes prej 60m2.

Në vitin 2022, gjyqtari u konfirmua në detyrë nga KPA-ja. Po kështu, Kalaja u zgjodh edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi.

Ndërkohë, sa i përket jetës personale, Astrit Kalaja ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze. Ndërsa sipas burimeve, Kalaja ishte bërë gjysh vetëm pak kohë më parë.

Si ndodhi ngjarja?

Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI

Poll

MOS HUMB