Aktualitet

'Trupi pa organe'/ Italiani humbi jetën pas ndërhyrjes në 'Trita Hospital', prokuroria nis hetimet: Sekuestrohen kartelat mjekësore

Trupi, gjithashtu, ishte rindërtuar duke përdorur material leshi, një procedurë që sipas ekspertëve italianë konsiderohet e vjetëruar dhe jo në përputhje me standardet e mjekësisë ligjore moderne.

F.I
'Trupi pa organe'/ Italiani humbi jetën pas ndërhyrjes
trita hospital-Massimo Ferro

TIRANË-Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim për vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro teksa ka sekuestruar kartelat mjekësore dhe kryer veprime të tjera hetimore në klinikën private 'Trita Hospital', ku 54-vjeçari kreu një ndërhyrjeje kirurgjikale për ngushtimin e stomakut. Çështja po hetohet nga prokurori Florian Boriçi, ndërkohë pritet rezultati i autopsisë së Institutit të mjekësisë ligjore shqiptare.

Paralelisht, hetime po zhvillohen dhe në Itali, ndërkohë që familjarët e biznesmenit pretendojnë se 54-vjeçarit nuk iu bënë analizat dhe kontrollet paraprake përpara se të futej në sallën e operacionit. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë, mediat italiane raportuan se autoritetet e këtij vendi janë tronditur nga mënyra se si ishte bërë autopsia në trupin e të ndjerit.

Ekzaminimi pas vdekjes ishte pothuajse i pamundur, pasi disa organe u hoqën gjatë autopsisë në Shqipëri dhe janë ende në laboratorin e mjekësisë ligjore në Tiranë. Ndër organet që mungojnë është stomaku, i konsideruar i rëndësishëm për hetimet. Trupi, gjithashtu, ishte rindërtuar duke përdorur material leshi, një procedurë që sipas ekspertëve italianë konsiderohet e vjetëruar dhe jo në përputhje me standardet e mjekësisë ligjore moderne.

Çfarë ndodhi mes 18 dhjetorit deri në 22 dhjetor?

Ndërhyrja për ngushtim stomaku u krye më 18 dhjetor. Pacienti, i diagnostikuar me diabet tip II dhe me peshë 108 kilogramë, kishte marrë vetëm udhëzimin të mos ushqehej natën para ndërhyrjes. Më 20 dhjetor iu shfaqën ethet dhe temperaturë deri në 38 gradë. Më 21 dhjetor, me temperaturën që kishte arritur 39 gradë dhe me vështirësi të rënda në frymëmarrje, Ferro u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza” në Tiranë dhe është rikthyer sërish në klinikën private. Në mëngjesin e 22 dhjetorit, Massimo Ferro pësoi një arrest brenda klinikës dhe  u transportua me ambulancë në repartin e reanimacionit të spitalit publik, ku humbi jetën.

Sipas kallëzimit të familjes, nga klinika 'Trita Hospital' nuk ka pasur një program paraprak dietik, asnjë vlerësim multidisiplinar dhe asnjë përgatitje specifike para operacionit. E vetmja këshillë e dhënë ishte që pacienti të qëndronte esëll që nga mbrëmja para ndërhyrjes. Operacioni kushtoi 4,400 euro, çmim shumë më i ulët se afërsisht 15,000 euro të kërkuara në Itali./ZËRI

Poll

MOS HUMB