LEZHË-Është vendosur në pranga autroi i ngjarejs së dy ditëve më parë (15 mars), ku një sasi tritoli shpërtheu në automjetin në pronësi të agjentit të krimeve në Policinë e Lezhës, 41-vjeçari Gent Gjetja. Bëhet fjalë për Fatjon Rrikën, 32 vjeç, me precedent penal në Itali, për vjedhje me armë.
32-vjeçari është arrestuar teksa lëvizte me të njëjtin motor të cilin e përdori për të vendosur lëndën eksplozive në automjetin e Gjetjas. Një hetim ka nisur edhe për babin e tij, pasi gjatë kontrolleve në banesë u gjet një armë gjahu, e cila posedohej pa leje. Kërkimet vijojnë për autorin e dytë.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Zoomed In”.
Zbardhen autorësia dhe rrethanat e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me eksploziv, automjeti i një punonjësi policie.
Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i krimit. I arrestuari, shtetas me precedent në Itali, për vjedhje me armë.
Ai u kap duke lëvizur me ciklomotorin me të cilin kishte shkuar për të kryer shpërthimin.
Si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera me qëllim përcaktimin e autorësisë dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 15 mars 2026, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me lëndë plasëse, automjeti i punonjësit të Policisë, shtetasit Gj. Gj., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Zoomed In”.
Gjatë operacionit, u identifikua si rezultat i vëzhgimit të hollësishëm të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme, autori i dyshuar i rastit, shtetasi F. Rr., 32 vjeç.
32-vjeçari u arrestua në fshatin Zhejë, Kurbin, teksa drejtonte të njëjtin ciklomotorin, me të cilin dyshohet se kishte shkuar në vendngjarje, ditën e kryerjes së krimit.
Në vijim të operacionit, nisi procedimi penal për babanë e shtetasit F. Rr., shtetasin N. Rr., 66 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre, u gjet një armë gjahu, e cila posedohej pa leje.
Ciklomotori dhe arma e gjahut u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Vijon hetimi në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara penale, një shtetas që dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin, për kryerjen e këtij krimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.