KOLUMBI- Janë zbuluar detaje të reja lidhur me operacionin e përbashkët të Policisë së Tiranës, Europol-it dhe autoriteteve në Kolumbi për goditjen e grupit që trafikonin vajza në Shqipëri nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Autoritetet kolumbiane kanë gjetur në banesën e Lucas Betancur dhe babait të tij, i cili cilësohet si kreu i këtij grupi kriminal, kode të Bitcoin-it dhe fatura të shumta të transfertave të parave, që dyshohet se vinin nga aktiviteti i prostitucionit.
Ky aktivitet ushtrohej edhe në Tiranë, ku janë zbuluar disa banesa dhe hotele që përdoreshin për prostitucion për vajzat kolumbiane. Sipas burimeve, mësohet se një nga të arrestuarit është Mirel Shperdheja, pronar i një agjencie të pasurive të paluajtshme. Ai kishte vënë në dispozicion 15 banesa në Airbnb për ushtrimin e prostitucionit në Shqipëri. Gjitashtu, autoritetet kanë zbuluar mbi 1 milion euro që janë transferuar nga janari e deri më tani, kryesisht nga vendet e rajonit dhe nga Shqipëria drejt Kolumbisë.
Në gjurmët e hetimeve kanë rënë edhe shtetasit Ilmar Gugashi, pronar i një hoteli në afërsi të Gjykatës së Lartë, dhe Dritan Suka, i cili komunikonte drejtpërdrejt me Lucasin në Kolumbi, ndërkohë që vënte në dispozicion banesa me qira për vajzat që shfrytëzoheshin për prostitucion.
Por nuk mbaron me kaq!
Assel Adrysheva dhe Kejvin Ndreu shfrytëzonin vajza nga Kazakistani në hotelin “Alindro”. Ata bashkëpunonin me kolumbianët dhe me Rostyslav Mieshkov për të sjellë vajza në Shqipëri edhe nga vende të tjera aziatike.
Lucas Betancur detyronte vajzat që vinin në Shqipëri të ushtronin prostitucion dhe, në rast kundërshtimesh, i kërcënonte me jetën e familjarëve të tyre. Por nuk mjaftonte vetëm kërcënimi, ai u merrte peng motrat ose nënat në Kolumbi, dhe në këtë mënyrë vajzat detyroheshin të vinin në Shqipëri dhe të vijonin aktivitetin e prostitucionit./ZËRI