
TIRANË- Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku është pyetur për rreth 90 minuta. Në përfundim ai ka deklaruar për mediat se është pyetur nëse ka dijeni pasi gjatë një aktiviteti në Rrogozhinë është takuar me një person që ka qenë nën përgjim. Bëhet fjalë për kryebashkiakun, Edison Memolla.
Tom Doshi: Është normale të na thërrasë prokuroria. Për Edison Memollën. Kam bërë një takim në Rrogozhinë unë dhe personi që kam takuar ka qenë në përgjim. Kaq, a ke dijeni, pyetën.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 1 vit burg kryebashkiakun, Edison Memolla. Kryebashkiaku i Rrogozhinës, u mor i pandehur nga SPAK më 19 tetor 2023, pas një denoncimi ku gjatë fushatës elektorale urdhëronte punonjësit e OSHEE që të mos i prisnin energjisë elektrike një familjeje të varfër që nuk kishte mundësi t’i paguante. Në këmbim, familja do të votonte Memollën.
I pyetur nga gazetarët, Doshi tha se deputetët e PSD janë kundër shkrirjes së SPAK dhe se vijojmë ta mbështesin Reformën në Drejtësi.
Tom Doshi: Asnjëherë. E kam mbështetur reformën në drejtësi dhe deputetët tanë në parlament do ta mbështesin SPAK.
Tom Doshi, kryetar i Partisë Social-Demokrate ka rikonfirmuar kandidaturën e tij për deputet në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 11 majit. Në zgjedhjet parlamentare, PSD synon zgjerimin e saj me deputët në gjithë vendin teksa në zgjedhjet e fundit lokale në qarkun Shkodër doli forcë e parë sa i përket numrit të këshilltarëve./ZËRI