TIRANË-Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk e ka pranuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për të lejuar Erion Veliajn të marrë pjesë në mbledhjen që do të mbahet nesër. Por ky nuk është refuzimi i vetëm. SPAK ka refuzuar edhe kërkesën e kryebashkiakut, ku ky i fundit kërkonte të takohej me përfaqësues të misionit monitorues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës në ambjentet e paraburgimit të Durrësi.
SPAK: Në përgjigje të kërkesave tuaja- Në datën 11.11.2025, përmes një kërkesë dërguar Prokurorisë së Posaçme, i pandehuri Erion Veliaj ka kërkuar lejimin e një takimi zyrtar me përfaqësues të Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, pa specifikuar emrat e tyre. Prokuroria e Posaçme e ka refuzuar kërkesën e tij më datë 18.11.2025, duke e mbështetur në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” (nenet 49 pika 1 dhe 73 pika 1 dhe 2) dhe VKM nr. 209/2022. Sjellim në vëmendjen tuaj, përkundër raportimeve në media, se në Prokurorinë e Posaçme nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga përfaqësuesit e Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Në kërkesën e tij, Veliaj theksoi se vizita e delegacionit zhvillohet në kuadër të misionit të monitorimit të Kongresit për respektimin e parimeve të demokracisë vendore dhe qeverisjes së mirë në vendet anëtare të Këshillit të Europës. Ai kërkoi që përfaqësuesve të Kongresit t’u mundësohet takimi me të në ambientet e IVEP Durrës, ku aktualisht ndodhet, për të garantuar transparencë dhe informim të drejtë mbi situatën e tij ligjore dhe institucionale.
Sipas Veliajt, takimi do të shërbente për të sqaruar respektimin e të drejtave të tij si i ndaluar dhe si funksionar publik, në përputhje me nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim. Por një mbledhje e tillë nuk u lejua.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës. Konkretisht Gjykata vlerësoi se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria kanë vepruar në shkelje të Kushtetutës kur shkarkuan Erion Veliajn me argumentin se nuk u paraqit 3 muaj në detyrë. Gjykata arsyetoi se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
