TIRANË-Një 34-vjeçar është arrestuar nga blutë e Tiranës me armë zjarri sportive në automjet. Armand Gugaj i cili aktualisht ndodhej në arrest shtëpie u kallëzua nga një shtetase, e cila kishte rënë pre e mashtrimit të tij.
Konkretisht 34-vjeçari i ishte prezantuar si agjent imobilar dhe në këmbim të gjetjes së një banese me qera i kishte marrë një shumë parash. Gugaj u arrestua teksa lëviste në rrugën “Kastriotët”, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën një palë targa të vjedhura.
Njoftimi i policisë:
Theu masën e sigurisë dhe mashtroi, duke u prezantuar si agjent imobiliar, arrestohet 34-vjeçari që lëvizte me pistoletë sportive, në automjet, dhe posedonte një palë targa të vjedhura.
Sekuestrohen arma sportive dhe targat.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një shtetaseje, se ishte mashtruar nga një shtetas që i ishte prezantuar si agjent imobiliar, dhe për këtë arsye i kishte dhënë një shumë parash për t’i gjetur një banesë me qira, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Implikimi”.
Gjatë operacionit u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. G., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Nga kontrolli në automjetin me të cilin shtetasi A. G. lëvizte në rrugën “Kastriotët”, në momentin e kapjes, u gjet 1 armë sportive (pistoletë) që mbahej pa leje, ndërsa nga kontrolli në banesën e këtij shtetasi u gjet një palë targa që nga verifikimet rezultojnë të vjedhura.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 34-vjeçari ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.