FIER- Një ngjarje e rëndë dhe e pazakontë është regjistruar gjatë natës në Fier. Sipas informacioneve paraprake, një person është gjetur i pajetë në një banesë në lagjen "18 Shkurti" në Fier, ndërsa dyshohet se kishte shkuar për të vjedhur. Burime bëjnë me dije se personi 47-vjeç, ende i paidentifikuar, ka humbur jetën pasi gjyma e trupit i ka ngecur në dritare.
Mësohet se në banesën 3 katëshe nuk ndodhej njeri. Sipas vëllait të kryefamiljarit, Nikollaq Lule, banesa i përket Uan Lules, i cili prej një muaji ndodhej në Greqi, për të festuar Pashkët. Ai ka treguar se fqinji që përkujdeset për banesën e ka gjetur të vdekur në dritare hajdutin dhe ka lajmëruar menjëherë policinë. Sipas asaj që dëshmon Nikollaq Lule, autori i grabitjes ishte i veshur me kapuç dhe doreza.
"Vëllai ka një muaj që ka ikur në Greqi te fëmijët, do festonte kalonte Pashkët dhe do vinte. Unë isha para dy ditësh dhe nuk pashë gjë. Por vëllai ka lënë një komshi këtu që vjen për të ushqyer qenin. Kur ka ardhur sot në mëngjes ka gjetur një person në dritare dhe kishte lajmëruar policinë dhe vëllain. Vëllai më lajmëroi edhe mua. Erdhi policia bëri verifikimet. Duket se ka tentuar të hyjë te kjo derë dhe ka thyer xhamin, por nuk ka gjetur gjë. Më pas ka ardhur te dritarja e shtëpisë, por xhamat janë të vegjël, por duket se ka tentuar të futet dhe ka ngecur gjysmë trupi dhe nuk dilte. Zotëria që vjen ushqen qenin në mëngjes e gjeti të varur. Unë nuk jetoj këtu erdha se kisha çelësat e shtëpisë dhe më mori polica. Mendoj se mund të jetë 35 vjeç", tha ndër të tjera ai.
Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Fierit ndërsa nuk është identifikuar ende. Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes./ZËRI