TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me aksionin e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka lëshuar 8 masa sigurie në lidhje me tenderat e dhëna nga AKSHI. Gjatë hetimeve të prokurorisë është zbuluar dhe një rast pengmarrje dhe dhune, me qëllim tërheqjen e kompanive nga tenderave.
Mësohet se Ergys Agasi në bashkëpunim me zyrtarin e policisë Erion Ismaili, kanë rrëmbyer biznesmenin Gerond Meçe, duke e detyruar që të tërhiqet nga tenderat e dhëna nga AKSHI.
Deri tani nuk dihet ende nëse masat e sigurisë janë ekzekutuar apo jo nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që ka kryer prej mëngjesit të sotëm kontrolle në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë.
8 masat e firmosura nga GJKKO
Arrest në burg: Ergys Agasi
Arrest në burg: Ermal Beqiri
Arrest në shtëpi: Mirilda Karçanaj
Arrest në shtëpi: Hava Delibashi
Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit: Erion Ismaili
Ndalim për të dalë jashtë vendit: Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme.
Sipas burimeve hetimore, përveç shkeljes së barazisë në tendera, autoritetet po hetojnë edhe qarkullimin e fondeve të përfituara nga këto kontrata, për të verifikuar elementë të mundshëm të pastrimit të parave.
Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI