TIRANË- SPAK ka përfunduar ditën e sotme kontrollet tek 34 bashkëpunëtorë të zv. kryeministres dhe njëkohësisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka ushtruar kontrolle në bizneset dhe banesat e këtyre personave:
-Shefja e kabinetit të Ballukut, Sindi Dushku
-Biznesmeni Ilir Shtufi
-Biznesmeni Rrok Gjoka
-Drejtoreshës së KESH, Viola Haxhiademi
Mësohet nga kontrollet SPAK ka sekuestruar pajisje kompjuterike, telefon si dhe dokumente në banesën e Viola Haxhiademit. Shtëpitë dhe bizneset e dy sipërmarrësve Shtufi dhe Gjoka kanë kontrolluar me vendim gjykate. Pjesë e kontrolleve kanë qenë dhe banesat e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Hetimet për numrin dy të qeverisë po intensifikohen me qëllim nxjerrjen e provave të reja që SPAK do t’i paraqesë në Kuvendin e Shqipërisë, pasi rreth dy javë më parë ky institucion ka kërkuar nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e Ballukut.
Aktualisht ende nuk kemi një datë zyrtare për shqyrtimin e kërkesë së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut nga Këshilli i Mandateve. Këshilli nuk doli me një datë tjetër për mbledhjen e radhës. Kujtojmë se me datë 19 dhjetor, u mblodh Këshilli i Mandateve, ku morën pjesë dhe përfaqësues të SPAK të cilët dorëtuan provat e mbledhura deri më tani. PD kërkoi që të marrin me vete USB-në me 10 mijë faqe me prova për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Ndërsa maxhoranca kërkoi që Këshilli të mblidhet më 19 janar.
Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH. Abuzimet e Ballukut, sipas Prokurorisë së Posaçme, arrijnë në miliona euro, dëme këto ndaj buxhetit të shtetit./ZËRI