Aktualitet

SPAK kërkon rikthimin në burg të Lefter Kokës, posta: Është larguar në Itali

Ish-ministri rezulton të jetë larguar nga vendi drejt Italisë dhe për këtë arsye, është proceduar me shpallje publike për vënien në dijeni

F.I
SPAK kërkon rikthimin në burg të Lefter Kokës, posta:
Lefter Koka

TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, të rikthehet në qeli, dy muaj pas vendimit të Apelit të Posaçëm që liroi ish-ministrin. SPAK ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, por komunikimi i kërkesës ndaj ish-ministrit ka qenë i pamundur përmes shërbimit postar.

Ish-ministri rezulton të jetë larguar nga vendi drejt Italisë dhe për këtë arsye, është proceduar me shpallje publike për vënien në dijeni. Koka ka njoftuar edhe më herët në gjyq se do të kryente një operacion për zemrën në Itali.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u lirua në dhjetor të vitit të kaluar, pasi qëndroi për 4 vite në burg, që prej 14 dhjetorit të vitit 2021. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme më dhjetor 2025, thuhej se masa e sigurisë për inceneratorin e Fierit nuk qëndron më, për shkak se dosja është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.

Në lidhje me dënimin për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit. Ndërkohë, për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ai e ka shlyer dënimin me kohën e qëndrimit në paraburgim. Të tre dosjet penale ku Koka ishte i përfshirë, inceneratori i Elbasanit, Tiranës dhe Fierit nuk paraqesin më masa sigurie në fuqi.

Koka u arrestua në vitin 2021 në kuadër të hetimeve për inceneratorët, ku akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. Ai është dënuar me vendime që ende nuk kanë marrë formë të prerë, lidhur me dosjet e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës./ZËRI

Poll

MOS HUMB