
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur një tjetër akuzë për bashkëshorten e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliajt, Ajola Xoxën. Sot, ajo ishte thirrur në SPAK për t'u marrë edhe njëherë në pyetje nga prokurorët e çështjes. Mirëpo, duket se qëllimi ka qenë tjetër. Pas 2 orësh marrje në pyetje, hetuesit i kanë komunikuar një tjetër akuzë Xoxës, atë të fshehjes të të ardhurave. Edhe pse akuza është bërë e ditur nga mediat, vetë Prokuroria e Posaçme ende nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për akuzën, ndaj edhe është e paqartë nëse akuza është ngritur në bazë të episodeve në dosje, apo ka fakte të reja.
Xoxa ishte marrë e pandehur dhe po hetohej deri tani për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Po ashtu, aktualisht, ajo është në masën e sigurisë "detyrim paraqitje", ndaj nuk dihet nëse me akuzën e re, masa për të mund të shtrëngohet në "arrest shtëpie", e cila ishte e para që u vendos nga hetuesit ndaj saj. Në zbardhjen e vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, gjyqtari Engert Pëllumbi ngriti një tjetër hije dyshimi për një vepër penale që deri më tani nuk i është atribuuar kryebashkiakut të vendosur në pranga dhe as bashkëpunëtorëve të tij. Sipas gjyqtarit Engert Pëllumbi, Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe miku i tij, biznesmeni Elman Abule kanë vepruar si një grup për përfitime materiale. Po sipas gjyqtarit, këto janë tipare që përputhen me veprën penale "grup i strukturuar kriminal”.
Por duket se pas sugjerimeve të gjyqtarit, SPAK ka rishikuar edhe njëherë të dhënat e dosjes, duke ngritur një tjetër akuzë për Xoxën, ndërsa mbetet për t'u parë nëse e njëjta gjë do të bëhet edhe për kryebashkiakun e vendosur në pranga që në shkurt të këtij viti dhe që aktualisht ndodhet në ambientet e qelisë së paraburgimit të burgut të Durrësit./ZËRI