
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për ish-drejtorin e ARRSH-së Evis Berberin, edhe për një segment të Unazës së Madhe. Sipas të dhënave të deritanishme, në 8 tetor 2021, kreu i ARRSH, Evis Berberi ka firmosur tenderin me vlerë 23 milionë euro për kompanitë ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së jashtme të Tiranës, Loti 7. Për të mbikëqyrur punimet Evis Berberi ka përzgjedhur në datën 10 nëntor 2021 si fituese e tenderit grupin e kompanive “NET-GROUP” dhe “ARABEL – STUDIO”.
Sipas "Syri", lidhur me këtë tender po verifikohen, më shumë se mbi 50 prova materiale, ndaj edhe prokurorët e SPAK kërkuan kohë për të vijuar hetimet.
Një javë më parë u mësua se SPAK ka nisur hetimet edhe për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Në vazhdën e këtyre hetimeve ka sekuestruar dokumentet e kompanisë ‘Hill International NV’ dhe “Net Group” sh.p.k, kompani të cilat kanë kryer supervizimin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.
Aktualisht, Evis Berberi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre, e cila nuk është arrestuar për shkak se është nënë e një fëmije të mitur. Skema për përvetësimin e parave është bërë nëpërmjet dy kompanive “Net Group” dhe “Daam”. Kompanitë u blenë dhe u shitën mes 4 të përfshirëve në dosje, madje dhe nga vetë Berberi, i cili më pas, shpallte fituese kompanitë e tij në disa tendera publikë të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shuma e përvetësuar u përllogarit 2.3 milionë euro. Por po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Berberit u gjetën piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve./ZËRI