
TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka treguar se i gjithë operacioni që përfundoi me prangosjen e 10 personave dhe me shpalljen në kërkim të mbi 40 të tjerëve ka nisur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. E ftuar në Neës 24, Lala tha se në total janë zbardhur 30 episode të trafikut të drogës. Sipas Lalës, grupi është përfshirë edhe në atentate, kryesisht në Durrës.
“Janë 51 urdhër-arreste. Dosja është e gjatë. Grupi trafikonte kokainë dhe pastronte para. Ish polici Altin Morina është anëtar i bandës kriminale, ndërsa efektivi tjetër ka akuzën e korrupsionit. Hetimi ka nisur nga SPAK, pas rrëfimit të Nuredin Dumanit. Pas dëshmisë së Dumanit, pas marrjes së komunikimeve të Sky Eç dhe vëzhgimeve në terren, kanë arritur të identifikojnë grupin kriminal që merreshin me aktivitete kriminale. Grupi kriminal e kishte bazën në Durrës.
Janë vënë nën sekuestro disa shoqëri. Një grup kriminal të rëndësishëm ka pastrimin e parave. Ka në dosje dhe bos të mafies italiane, njëri njihej si “gjyshi”. Paratë vinin me autobus nga linja e udhëtimit të transportit. Janë 30 episode të trafikut të kokainës. Janë lënë të trafikojnë drogë, derisa e kanë zbërthyer gjithë aktivitetin kriminal. Grupi u mbajt në vëzhgim për 5 vite.
Dyshoj se grupi është përfshirë edhe në atentate, kryesisht në Durrës. Ka shumë pasuri të tjera që nuk janë identifikuar. Hetimet vazhdojnë në drejtim të personave, që dyshohet se janë përfshirë në grup kriminal. Hetimi vazhdon. Ka trafik edhe të heroinës e kokainës. Janë goditur grupe, që më herët nuk ishin goditur,”- tha Lala.