TIRANË-Sot më 21 tetor bëhet një vit nga arrestimi i Kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Pas një viti në qeli, Meta i është drejtuar sërish Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë për shuarjen e masës së sigurisë ndaj tij, atë 'arrest me burg'.
Kërkesa është dorëzuar një vit pas vendimit të GJKKO-së, e cila më 21 tetor 2024 miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Metës. Kërkesa e Ilir Metës për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest me burg” është rrëzuar në të tre shkallët e gjyqësorit.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI