
TIRANË- Sot mbahet Maratona e Tiranës, ku do të ketë bllokim të rrugëve të kryeqytetit prej orës 08:00 deri në orën 16:00. Policia ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Blutë u bëjnë apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen në atë fashë orari në disa zona të kryeqytetit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit “Maratona e Tiranës 2024”.
"Nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 16:00 do të bllokohet qarkullimi për automjetet tek sheshi “Nënë Tereza”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pal II”, “Ismail Qemali”, bulevardi “Bajram Curri” me kryqëzimin e rrugës së “Elbasanit”, rruga “George W Bush”, “Abdi Toptani”, bulevardi “Zogu I”, Bulevardi i Ri, rruga “Ded Gjo Luli”, rruga e “Durrësit”, rruga e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark”, nga kryqëzimi me urën e Gjykatës Tiranë, deri te Ura Taiwan duke përfunduar në rrugën “Ibrahim Rugova” dhe “Lek Dukagjini”", njofton policia.
Ndryshime gjithashtu do të pësojë dhe itinerari i lëvizjes së autobusëve urbanë. /ZËRI