TIRANË-Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur sot në Komisionin e Ligjeve për hetimet mbi skandalin e mikro-kredive. Në mbledhje deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri, kërkoi të dinte nëse është thirrur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë për këtë çështje. Dumani sqaroi se hetimet për rastin e mikro-kredive kanë përfunduar dhe dosja ndodhet tashmë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar.
Kreu i SPAK deklaroi se janë sekuestruar 420 milionë lekë dhe 1.3 milionë euro, si dhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme, ndërsa po verifikohet pozita e secilit person të përfshirë.
Kryeprokurori nuk dha më shumë detaje, teksa deklarata e tij la të kuptohet që për këtë çështje SPAK ka ndarë fraksion dhe ka nisur hetim veçmas, ndërsa ka dërguar në gjyq pjesën e përmbaruesve privatë.
“Çështja e mikro-kredive hetimet për krijuesit kanë përfunduar dhe është dërguar për gjykim. Janë dërguar për gjykim 16 shtetas dhe 4 persona juridik, ndërsa janë sekuestruar 420 milionë lekë dhe 1.3 milionë euro, si dhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme. Po verifikohet pozita e secilit person të përfshirë,” deklaroi kreu i SPAK.
Në një njoftim më herët gjatë muajit korrik, SPAK informoi se ka mbyllur hetimet për grupin kriminal të mashtrimit me mikrokreditë dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, si edhe 4 shoqëri financiare, konkretisht Micro Credit Albania, FINAL, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH.
