Aktualitet

Skandali/ A u montua ngjarja e kamarierit në Vlorë? Detajet: Polici arrestoi 1 vit më parë nipin e biznesmenit Vasil Bedinaj

Erges Eskiu zbulon se polici Ardian Isufi është dërguar në gjendje të rëndë në spital, duke zbuluar se ishte goditur me një levë hekuri në kokë, që sipas tij ishte përdorur nga një gazetar lokal.

k.m.
Skandali/ A u montua ngjarja e kamarierit në Vlorë? Detajet: Polici
Pamje nga ngjarja

VLORË- Detaje dhe akuza të reja po shpërndahen në rrjet lidhur me ngjarjen e bujshme të ndodhur në një hotel në Vlorë. Në "skenë" është shfaqur edhe Erges Eskiu, anëtar i Departamentit të Shëndetësisë të PD, me profesion logoped. Në një postim në rrjetet e tij sociale, Dr. Erges Eskiu zbulon se polici Ardian Isufi është dërguar në gjendje të rëndë në spital, duke zbuluar se ishte goditur me një levë hekuri në kokë, që sipas tij ishte përdorur nga një gazetar lokal. Po sipas tij, i pari që e ka goditur policin me levë ka qenë një gazetar, ndërsa më pas dhuna është përshkallëzuar nga disa persona të tjerë. E gjitha kjo sepse pak kohë më parë, efektivi i Policisë Isufi, kishte arrestuar nipin e pronarit Vasil Bedinaj. Eskiu pretendon se ngjarja është manipuluar për të fituar simpatinë e opinionin publik, kur në fakt ka pasur qëllime të tjera. 

"Thuhet që personi i parë që ka goditur me levë policin është një gazetar lokal. Bëhet fjalë për një gazetar që ka disa biznese në Vlorë, menaxhon molin e skafeve në Vlorë dhe hetohet nga Prokuroria si pjesë e një grupi kriminal. Dhe nuk është çështje hakmarrje kjo për Aronin e shkretë. Ngjarja ka ndodhur 30-40 minuta me vonesë, pas goditjes së Aronit të shkretë. Dhe nuk e ka goditur polici. Por çfarë kanë bërë? Për të fituar mbështetje popullore, për të kthyer gjithë opinionin publik kundër policit në mënyrë që t'i shmangen drejtësisë kanë hedhur një sekuencë të shkurtër ku shihet një person që dhunon Aronin. Por që nuk është polici. Këta banditë për të shmangur përgjegjësitë penale kanë manipuluar opinionin publik. Dhe kanë masakruar në mënyrë shtazarake policin e shkretë sepse para një viti ky polic ka arrestuar thonë një nipin e Vasilit. Pra është shumë e rrezikshme në këtë moment dhe kërkoj të hetohet ngjarja deri në fund, të zbardhet e plotë. Sepse kur banditët ngrenë dorë mbi Policinë e Shtetit dhe Policia e Shtetit braktiset dhe nga kryeministri i vendit atëherë bëhet akoma më e rrezikshme situata sepse kur ia bëjnë një polici dhe nuk ndëshkohen, imagjinoni çfarë i bëjnë një personi të thjeshtë,"-thotë në videon e publikuar, Erges Eskiu, anëtar i Departamentit të Shëndetësisë të PD.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Ndërkohë që Eskiu nuk e ka përmendur emrin e gazetarit, Flamur Isufi, vëllai i efektivit të Policisë Ardian Isufi, që u përfshi në dhunimin e kamarierit në Vlorë, ka folur për A2 CNN dhe mohon se ka qenë vëllai i tij, ai i cili e ka qëlluar kamarierin, por personi që ndodhej me të. E madje shton se menjëherë pas incidentit, palët janë ulur dhe i kanë kërkuar madje falje babait të adoleshentit. Sipas tij, gazetari i pranishëm në atë moment është Enrik Mehmeti. 

“Ju keni parë një pjesë të kamerave. Ai gazetari t’i nxjerrë të gjitha pamjet. Unë nuk kam qenë prezent por çfarë më ka thënë vëllai: Ai ka qenë pushim. Ka shkuar te lokali për të pirë një kafe. Në tavolinë ka gjetur edhe një person tjetër që e ka ftuar në lokal. Janë ulur për të pirë një kafe dhe një ujë dhe nuk është bërë sherr për ujin, se nuk zihen njerëzit për ujin. Vëllai im i kërkon një bidon ujë të madh dhe një kafe. Të mos futemi në detaje, por ai i sjell dy bidonë dhe me të qeshur i thotë “pijeni dhe këtë”. Nuk kam qenë aty që të ta shpjegoj me detaje. Sjellja e kamerierit ka irrituar personin në krah të vëllait tim. Vëllai im, për të shmangur konfliktin është ngritur dhe i ka thënë “ik andej, se duhet të sillesh mirë, je i vogël”. Unë nuk kam qenë aty, por kamerat i ka lokali. Personi që godet kamerierin nuk është vëllai im. Vëllai im çohet nga tavolina dhe i thotë kamerierit të jetë i kujdesshëm me klientët. As e ka sharë, as e ka goditur. Personi që është irrituar është personi tjetër. Kamerieri, në bisedë, në konflikt me zotërinë. Vëllai im u fut. Në këtë moment i thotë “Pse çfarë është ai?”. Janë ulur në tavolinë me babanë e djalit, kanë folur, janë ndarë si miq. Edhe me menaxherin e lokalit nuk kanë pasur ndonjë problem. Se vëllai im, duke qenë 15 vjet oficer policie, e di shumë mirë se si mund t’i shmanget një konflikti. Meqenëse ky gazetari, Enrik Mehmeti, i ka të gjitha pamjet, le t’i dorëzojë të gjitha pamjet si u dhunua vëllai im. Enrik Mehmetin e kam takuar para policisë. Vëllai im është qytetar i thjeshtë në atë moment, të mbajë përgjegjësi për gabimet që ka bërë, nëse ka bërë. Vëllai im në këto momente është në reanimacion, me shpatull të thyer, me fraktura në fytyrë dhe Enrik Mehmeti ka qenë prezent the thotë: “Ardi, vëllai juaj, më vjen keq, nuk e meritonte, por ne nuk e dinim se si ishte situata”. Dhe unë i kam thënë: “Është turp i madh për ne qytetarët e Vlorës është turp, se pronari i lokalit është në shtëpi të vet dhe ne shqiptarët e kemi traditë, nuk të rrahim në shtëpi. Megjithatë turpin ta mbajë ai. Unë tani kërkoj vetëm një gjë, zbardhjen e të vërtetës, ku rëndon faji te vëllai im, ku rëndon te të tjerët. Unë kërkoj të dalë e vërteta. Kur të dalë e vërteta edhe Kryeministri i Shqipërisë do të reagojë më ndryshe. Kryeministri nuk e di që personi që ka goditur me pëllëmbë nuk është vëllai im. Vëllai im është personi që futet t’i ndajë. Dua të dalin pamjet ku 15 vetë godasin vëllain tim, për më tepër që e dinin që ishte oficer policie, 2 vjet shef qarkullimi. Kryeministri i Shqipërisë duhet të marrë informacionin e plotë dhe të veprojë. Unë jam i bindur që nuk e ka informacionin e plotë,"- tha Flamur Isufi.

Vetë Policia e Shtetit bëri me dije se ish-shefi i Rrugores së Vlorës, aktualisht oficer i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi, dhunoi së bashku me një person tjetër, kamerierin në lokal, për shkak të një ngatërrese me porosinë. Ndaj edhe u pezulua nga detyra. Përmes një njoftimi të shpërndarë, Policia bën me dije se pas ngjarjes, pronari i hotelit ku ndodhi ngjarja, Vasil Bedinaj bashkë me disa persona të tjerë është konfliktuar fizikisht me oficerin e policisë dhe shokune e tij duke i shkaktuar dëmtime fizike. Mes tyre ka qenë edhe gazetari Enrik Mehmeti.

“Në orën 22:00 tek tavolina e shtetasve Ardjan Isufi dhe Leart Bimo rezulton se ka shkuar pronari i lokalit shtetasi Vasil Laver Bedini, i datëlindjes 07.07.1972, banues në lagjen “Pavarësia 2”,Vlorë, dhe pas disa çastesh debatesh situata ka agravuar në konflikt fizik duke u përfshirë edhe gazetari lokal Enerik Mehmeti si dhe disa shtetas të tjerë ende të paidentifikuar. Nga ky konflikt ngelën të dëmtuar shtetasit Ardjan Isufi (i shtruar në spital) dhe Leart Bimo. Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë u proceduan shtetasit: Vasil Bedinaj, për veprën penale “Plagosja e Lehtë me dashje”. Enerik Mehmeti, (gazetar), për veprën penale “Plagosja e Lehtë me Dashje”.Leart Bimo, për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje””, sqaron Policia.

Vetë gazetari Enrik Mehmeti ka reaguar ashpër pas procedimit penal, duke e cilësuar si një përpjekje për presion dhe heshtje të medias. Në një deklaratë publike, Mehmeti thotë se është përballur me kërkesa direkte për të mos publikuar pamjet ku shihet një drejtues policie, por nuk e ka zbuluar emrin e tij.


“Këtu jam në ambientet e spitalit me Aronin. Duke qenë se intervistova që në momentin e parë pata presione që të mos publikoja videon e dhunës ndaj tij. Por unë jam një nga gazetarët më të vjetër të qytetit të Vlorës dhe nuk mund të mbyll sytë ndaj padrejtësive që bëhen ndaj qytetarëve. Po të mos ishte për atë video, sot ngjarja mund të kalohej në heshtje. Mbas kërkesave të shumta që të mos publikoheshin videot dhe intervistat nga ana e efektivëve të Policisë, mësova se duhet të paraqitesha në Polici. Unë duhet të deklaroja se isha i përfshirë në ngjarje. Sikur unë isha një nga personat që dhunuan në momentin e dytë efektivin që nuk e njoh. Dua ta pyes Aronin; kam goditur njeri unë? Kjo është e vërteta, disa duan të më përfshijnë vetëm e vetëm se përse publikova këto pamje dhe intervistën e Aronit. Të nderuar unë nuk e mbyll gojën përballë padrejtësive. Unë do të jem në krah të çdo qytetari të Vlorës. Në momentin që kam marrë vesh për atë që ka ndodhur shkova, mora informacion dhe kam qenë duke marrë video të ngjarjes. E doja me video dhe jo me shkrime, por kanë qenë edhe shumë dëshmitarë në lokal që mund të dëshmojnë nëse kam qenë pjesë e ngjarjes apo jo,"-thotë ai ndër të tjera.

Ndërkohë që për pretendimet e reja, ende nuk ka një deklaratë të dytë të Policisë së Shtetit. E po ashtu, mungon edhe dëshmia e të dhunuarit Isufi, i cili sipas të vëllait të tij ndodhet në reaminacion./ZËRI

Poll

MOS HUMB