
TIRANË- Largohet nga detyra drejtori i Autoritetit Kombëtar Ushqimor në Tiranë, Fatjon Pasholli. Në vendin e tij është komanduar Alketa Hoxha. Kjo e fundit, deri më tani, ka mbajtur postin e drejtores juridike në AKU-në e Përgjithshme. Vetë Pashollari ka reaguar për mediat duke u shprehur se ishte larguar vetë nga posti që mbante.
"Dhashë dorëheqjen,"-ka bërë me dije tashmë ish-drejtori. Por nuk ka sqaruar detaje të tjera.
Muajt e fundit, AKU ka qenë një "vatër skandalesh" sa i përket sigurisë ushqimore. Disa ngarkesa eksporti janë kapur në kufi të vendeve të Bashkimit Europian dhe janë kthyer pas në vendin tonë për shkak se kishin nivele të larta pesticidesh. Por pasi janë kthyer nuk janë asgjesuar, por janë hedhur në treg për konsumatorin vendas.
Së fundmi, probleme ka pasur edhe me ngarkesën e madhe të mishit me salmonelë që erdhi nga Brazili dhe u shit në të gjithë vendin. Mesa duket për të gjitha këto skandale, i vetmi i "ndëshkuar" është Pasholli. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj lajmëroi shkrirjen totale të AKU-së./ZËRI