TIRANË- Kushtet e sigurisë në punë vijojnë të mbeten problem në Shqipëri, ku rastet fatale me humbje jete tashmë po shtohen. Së fundmi vetëm brenda 24 orëshit të fundit, është regjistruar një viktimë dhe dy të plagosur në vendin e punës.
Rasi i parë është raportuar në Bulqizë, ku punëtori 68-vjeçar është plagosur teksa ishte duke punuar punimet në kantierin e ndërtimit të ujëmbledhësit të kanalit të Bllacës. Fatkeqësisht punëtori nuk ka arritur t'u mbijetojë plagëve dhe ka humbur jetën në spital. Në lidhje me rastin në hetim është vendosur drejtuesi teknik i subjektit.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për shtetasin A. H., 70 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik i subjektit që kryen punimet në kantierin e ndërtimit të ujëmbledhësit të kanalit të Bllacës, pasi dje, gjatë punës, është dëmtuar shtetasi A. P., 68 vjeç, banues në Tiranë, mekanik në këtë subjekt, i cili për pasojë ka humbur jetën në spital. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme,"-thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu dy aksidente në punë në kantieret e ndërtimit për pallate janë regjistruar ditën e sotme në Tiranë. Një 43-vjeçar ka rënë nga lartësia e një objekti në fazë ndërtimi i cili ndodhet në spital dhe nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë një tjetër punëtor është dëmtuar gjatë punës, duke rënë nga lartësia. Policia ka nisur hetimet dhe mori nën akuzë një administrator kompanie dhe një përgjegjës sigurie./ZËRI