
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit për dosjen e "Sterilizimit". Në seancën e sotme, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj përmes avokatit të tij u shpreh se nuk mund të merrte pjesë në sallën e gjyqit. Kjo për shkak se pretendon se është në gjendje jo të mirë shëndetësore, duke e shoqëruar me një recetë të mjekimeve që po merr në qeli me pretendimin se hernia e tij ishte përkeqësuar në kushtet e paraburgimit. Ndaj në këto kushte, kërkoi që të mos mbahet gjyq në mungesën e tij. Nga ana tjetër, avokati i caktuar kryesisht kërkoi kohë të njihet me dosjen.
Në këto kushte, prokurori i çëshgtjes kërkoi shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit. Kështu, GJKKO e la seancën e radhës më 7 maj. Po ashtu, në seancën e sotme, u vendos që nëse Beqaj, biznesmeni i koncensionit të sterilizimit Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, shpallen fajtorë nuk do i llogariten ditët e paraburgimit.
Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen “Sterilizimi”. Të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Beqaj do të gjykohet për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në procedurat e koncesionit dhjetëvjeçar të sterilizimeve kirurgjikale prej 100 milionë eurosh.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini. SPAK ka përfunduar hetimet për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj edhe për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), për çështje të cilën ndodhet në burg prej datës 4 korrik 2024./ZËRI