
TIRANË- Teksa procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ende nuk ka përfunduar, vendi ynë do të rikthehet sërish në zgjedhje. Kjo pasi, kryebashkiakët aktualë në 3 bashki të vendit që garuan dhe fituan mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare priten të japin dorëheqjen. Ende nuk ka një datë zyrtare, por priten që zgjedhjet e pjesshme lokale të mbahen brenda 90 ditëve, pas dorëheqjeve të kryebashkiakëve aktualë.
Bëhet fjalë për:
Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i zgjedhur deputet në qarkun e Beratit
Kryetari i Bashkisë së Burrelit Agron Malaj, i zgjedhur deputet në qarkun Dibër
Kryetari i Bashkisë së Tepelës Tërmet Peçi, i zgjedhur deputetit në qarkun Gjirokastër.
Me fitimin e mandatit se depuetet ata janë larguar nga detyra e tyre në pushtetin vendor.
Të tre kandidatët kanë marrë mbështetje në zonat e tyre elektorale ku Malaj ka grumbulluar 12616 vota, ndërsa Demo ishte në listën e mbyllur dhe Peçi ka siguruar 9468. Si pjesë e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore, ata janë detyruar të heqin dorë nga posti i kryebashkiakut. Ata kanë depozituar dorëheqjet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili pritet të shpallë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Bashkinë e Beratit, Burrelit dhe Tepelenës.
Zgjedhjet e reja të pjesshme vendore priten të sjellin një tjetër përballje politike në vend, ku pas zgjedhjeve parlamentare PS siguroi 83 mandate, ndërsa PD-ASHM 50 mandate. Në këto zgjedhje të pjesshme, priten të garojnë edhe kandidatët e partive të reja si Mundësia, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë, të cilat siguruan mandatet për t’u bërë pjesë të Kuvendit.
Por, një tjetër dilemë është edhe nëse do të mbahen zgjedhje të pjesshme në Tiranë. Kjo pasi, kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt të 2025. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Partia Demokratike gjithashtu ka kërkuar shkarkimin e tij duke u shprehur se pas kalimit të afatit 3 mujor të mosparaqitjes së pandërprerë në detyrë të Erion Veliaj, të bëhet shkarkimi i tij.
Por, kur mund të mbahen zgjedhjet të pjesshme në Tiranë?
Zgjedhje të pjesshme në Tiranë mund të mbahen nëse plotësohen kushtet e nenit 61 dhe nenit 62 të Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore no 139/2015.
Sipas këtyre neneve kjo mund të ndodh nëse:
1. Neni 61 - Jep dorëheqjen
2. Neni 62, pika b, - Dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për një vepër penale
3. Neni 62, pika a, - Shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve
4. Neni 62, pika c,- Nuk paraqitet në detyrë për 3 muaj dhe shkarkimi propozohet nga Këshilli Bashkiak
Pra, nëse Veliaj qëndron në arrest me burg më shumë se 3 muaj, Këshilli Bashkiak ka bazën ligjore për ta shkarkuar, ose për ta depozituar këtë si kërkesë në Këshillin e Ministrave, të cilët do të marrin vendimin përfundimtar.
Deri më tani, nuk ka asnjë vendim ose propozim përsa i përket shkarkimit të Veliajt./ZËRI