
SHKODËR- Situata e krijuar nga zjarri në zonat e Bardhajt dhe Myselimit në Shkodër po shkon drejt stabilizimit, pasi ndërhyrja e forcave në terren dhe nga ajri ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të vatrave më problematike.
Flakët u riaktivizuan gjatë mesditës për shkak të erës së fortë, duke rritur shqetësimin për përhapjen e tyre pranë banesave. Megjithatë, sipas autoriteteve vendore, rreziku për zonat e banuara është shmangur.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bëri të ditur se operacioni u zhvillua në mënyrë të koordinuar, me angazhimin e zjarrfikësve, Shërbimit Pyjor, Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, punonjësve të njësive administrative, vullnetarëve dhe banorëve të zonës.
"Pas një riaktivizimi të zjarrit, të favorizuar nga era gjatë mesditës, situata në Bardhaj dhe Myselim është drejt normalizimit dhe banesat janë jashtë rrezikut. Vatrat janë vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së koordinuar nga toka dhe ajri," u shpreh Beci.
Operacioni u mbështet edhe nga dy helikopterë, të cilët ndërhynë mbi vatrat më të rrezikshme, duke ndihmuar në izolimin e flakëve dhe frenimin e përhapjes së tyre.
"Zona vijon të mbahet nën monitorim për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm," shtoi kryebashkiaku.
Edhe pse situata është përmirësuar ndjeshëm, autoritetet do të vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar rikthimin e flakëve në orët në vijim./ZËRI