KORÇË-Një përplasja fizike mes dy grupeve u raportua mbrëmjen e djeshme (31 gusht) në një lokal në zonën e parkut të Korçës. Sherri nisi fillimisht në përplasje verbale dhe më pas ka degraduar në hedhje të karrigeve të lokalit kundrejt njëri-tjetrit dhe përdorimit të shkopave të bejsbollit.
Konflikti degradoi në përdorimin e thikës, ku si pasojë dy prej tyre, Sotiraq Shkurta dhe Mihal Xhibro mbetën të plagosur. Sipas burimeve paraprake, përplasja ka nisur për motive banale nën efektin e alkoolit. Pas konfliktit në pranga janë vendosur 10 persona, mes tyre edhe vëtë të plagosurit, të cilët dje u raportuan jashët rrezikut për jetën nga policia.
1-Dritan Pino, 54 vjeç, akuzohet për “Vrasja me dashje” (mbetur në tentativë), “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
2-Petrika Ropi, 28 vjeç
3-Ilir Shukulli, 51 vjeç
4-Rafail Kocaqi, 21 vjeç
5-Salvi Asllan, 21 vjeç
6-Mihal Zhidro, 31 vjeç
7-Serxhio Mema, 25 vjeç
8-Gersi Dervishi, 37 vjeç
9-Sotiraq Shkurti, 31 vjeç
10-Kristi Lamçe, 29 vjeç
Të nëntë personat e fundit akuzohen për: “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Një tjetër person u shpall në kërkim, ndërsa pronari i lokalit u procedua penalisht për punësim të paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dinamika e konfliktit të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në një lokal, ku mbetën të plagosur me mjet prerës (thikë), 2 shtetas.
Identifikohen dhe vihen në pranga 10 shtetasit që u konfliktuan me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër i përfshirë në konflikt.
Procedohet penalisht pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, pasi kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.
Mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr.1, Korçë, në ambientet e një lokali, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, për të parandaluar përshkallëzimn e konfliktit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve të përfshirë në konflikt, konkretisht:
-D. P., 54 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale "Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, "Plagosja e rëndë me dashje", "Plagosja e lehtë me dashje", "Shkatërrimi i pronës", "Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore", "Prishja e qetësisë publike" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta";
-P. R., 28 vjeç, I. Sh., 51 vjeç, R. K., 21 vjeç, S. A., 21 vjeç, M. Zh., 31 vjeç, S. M., 25 vjeç, G. D., 37 vjeç, S. Sh., 31 vjeç, dhe M. L. 29 vjeç, të gjithë banues në Korçë, për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje", "Plagosja e lehtë me dashje", "Shkatërrimi i pronës", "Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. K., 38 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar i përfshirë në konflikt.
Këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, duke prishur qetësinë publike dhe duke shkaktuar dëme materiale në lokal. Gjatë veprimeve procedurale, ata kanë dhënë deklarata të rreme përpara punonjësve të Policisë.
Në vijim të veprimeve për rastin u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit ku ndodhi konflikti, shtetasin R. I., 45 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale "Punësimi i paligjshëm", pasi nga verifikimet rezultoi se kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme./ZËRI