
SARANDË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën “Bilal Golemi” në Sarandë, ku një i mitur është plagosur me thikë. Sipas Policisë, 17-vjeçari, nxënës në shkollën “Hasan Tahsini” është plagosur me 3 herë me thikë gjatë një sherri, ku ka marrë një plagë në stomak dhe dy në ije. Adoleshenti ka qenë bashkë me një shokun e tij, kur është konfliktuar me 17-vjeçarin K. Cora, i cili dyshohet se është autori i ngjarjes.
I plagosuri është transportuar fillimisht drejt urgjencës së spitalit të Sarandës ku ka marë ndihmën e parë dhe më pas është transportuar drejt Vlorës për mjekim më të specializuar.
Policia bën me dije se autori i dyshuar është arrestuar, ndërsa thikën e hodhi në një zonë me ferra në mënyrë që ta fshihte. Cora, njihet si një person problematik për Policinë e Sarandës, pasi në janar të vitit 2024 është përfshirë në një sherr tjetër, ku ka plagosur me dorezë po një tjetër të mitur në gjimnazin “Hasan Tahsini”.
“Goditi me mjet prerës (thikë) një bashkëmoshatar, si rezultat i reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, kapet dhe shoqërohet 17-vjeçari. Rreth orës 13:40, në rrugën “Butrinti”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se një 17-vjeçar ka goditur me mjet prerës (thikë) një tjetër 17-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, autori i dyshuar është kapur dhe është shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia./ZËRI