TIRANË- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar duke dënuar gjuhën e përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj mediave dhe gazetarëve gjatë një komunikimi publik me qytetarët.
Sipas AGSH, etiketimet ndaj mediave si “mafia e fjalës së lirë” apo “pronarë mafiozë mediash” janë të papranueshme dhe dëmtojnë lirinë e shtypit në vend. Organizata thekson se kritika ndaj medias është e lejueshme në demokraci, por nuk duhet të shndërrohet në sulme apo intimidim publik ndaj gazetarëve.
REAGIMI I PLOTË:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon gjuhën e përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj mediave, pronarëve të mediave, gazetarëve dhe hapësirës mediatike në tërësi, gjatë komunikimit të tij publik me qytetarët të shtunën.
Etiketimet si “mafia e fjalës së lirë”, “pronarë mafiozë mediash”, “vrasës të të vërtetave”, “shërbëtorë të përulur” apo çdo formulim tjetër që synon të delegjitimojë median për shkak të linjës editoriale, qëndrimeve kritike apo hapësirës që u jep aktorëve të ndryshëm publikë, janë të papranueshme dhe të dëmshme për klimën e lirisë së shtypit në vend.
AGSH thekson se kritika ndaj medias është legjitime në një shoqëri demokratike, por ajo nuk mund të shndërrohet në gjuhë linçuese, intimidim publik apo sulm të përgjithësuar ndaj gazetarëve dhe redaksive. Politikanët, veçanërisht ata që mbajnë funksione të larta publike ose drejtojnë parti politike, kanë përgjegjësi të shtuar për të shmangur gjuhën që nxit armiqësi, presion apo mosbesim të organizuar ndaj medias.
Media në Shqipëri ka probleme reale që lidhen me pronësinë, transparencën, presionin politik dhe ekonomik, por këto çështje duhet të trajtohen përmes debatit të përgjegjshëm publik, mekanizmave ligjorë, vetërregullimit dhe standardeve profesionale, jo përmes sulmeve denigruese që rrezikojnë të vendosin gazetarët në shënjestër.
Çfarë tha Berisha sot?
Sali Berisha, në deklaratën e tij, ka akuzuar disa media dhe pronarë mediash për njëanshmëri politike. Ai ka pretenduar se mediat dhe gazetarët që i quajti "mafiozë të egër të fjalës së lirë" dhe "shërbëtorë të përulur të Edi Ramës" po favorizojnë kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste, ndërsa ka kritikuar mënyrën si trajtohen zhvillimet brenda Partisë Demokratike.
"Jo, kjo është thjeshtë një përpjekje e turpshme që bëhet nga propaganda e Edi Ramës, nga mafia e fjalës së lirë, për të mbuluar faktin e vetëm se për Edi Ramën, nuk votohet kurrë. Kurse për Sali Berishën voton e gjithë anëtarësia e partisë. Kjo është një nga gjërat kryesore. Dhe nuk ke parë një emision, të organizojnë këta mafiozë të egër të fjalës së lirë për të mos u vënë edhe disa epitete të tjera, për mungesën totale të votimit në PS, por organizojnë emisione të shqetësuar për PD, ku kryetari zgjidhjet çdo anëtar një votë. Dhe të shqetësuar se nuk hyjnë në parti kandidatët e Edi Ramës, apo të birësuarit e pronarëve të televizioneve. Njëherë shkoi e u birësuar me Pëllumb Gjokën dhe Oltion Bistrin. Pastaj e mori një pronar televizioni. Apo të njerëzve që dolën në fushatë haptas kundër partisë, kaluan në parti të tjera dhe shkojnë në studio dhe u vënë pronarët mafiozë të televizioneve u vënë tituj se, janë nënkryetar të këtij forumi apo atij forumi, pa qenë kurrë. Turpe. Këta janë vrasës të të vërtetave, faqezi që turpërojnë njeriun, turpërojnë veten e tyre. Shërbëtorë të përulur të Edi Ramës. Por asgjë nuk e mposht PD-në. PD do udhëheqë shqiptarët drejt përmbysjes së regjimit të Edi Ramës."- u shpreh kreu demokrat. /ZËRI