
SHBA- Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken pret ceremoninë e ndarjes së çmimeve të kampionëve kundër korrupsionit të Departamentit të Shtetit në Departamentin e Shtetit. Një nga 10 personat e përzgjedhur nga DASH është kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
Teksa i dorëzonte çmimin, sekretari Blinken, në fjalën e tij, tha se numri një i listës të "kampionëve" ishte pikërisht drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
"Ka bërë një punë të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit,"-tha Blinken.
MOMENTI ME VIDEO:
Pas eventit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i ka shprehur urime kreut të SPAK, duke shtuar se ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin e palëkundër të Dumanit në ndjekjen e drejtësisë në emër të popullit shqiptar.
Postimi i plotë nga Ambasada Amerikane:
Ambasada e SHBA i shpreh urimet Altin Dumanit për vlerësimin me Çmimin për Kampionët Kundër Korrupsionit për vitin 2024 në vlerësim të përpjekjeve të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit. Ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin tuaj të palëkundur në ndjekjen e drejtësisë në emër të popullit shqiptar. Puna juaj frymëzon të gjithë ata që besojnë në fuqinë e së vërtetës dhe llogaridhënies. Ambasada e SHBA do të vazhdojë të punojë me ju, me SPAK dhe me të gjithë institucionet e drejtësisë për të bërë realitet barazinë përpara ligjit për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Ky vlerësim u bë në një ceremoni ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë amerikanë. Më herët në vendin tonë, të njëjtin çmim e mori ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, i cili u listua nga Amerika mes 12 kampionëve kundër korrupsionit./ZËRI