
TIRANË- Janë zbardhur dëshmitë që stafi i Universitetit Bujqësor ka dhënë gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Shefi i departamentit, Bejo Bizhga ka thënë para trupës gjykuese se është i pafajshëm dhe nuk merret me tendera. Sipas “Top Channel”, ai është shprehur se gjatë gjithë jetës së tij ka dhënë mësim dhe nuk është marrë me tendera.
“Kam punuar për këtë vend prej një jete, kam përgatitur breza, kam nxjerrë veterinerë. Në këtë pikë që jam sot dua të them se ia kam gjetur diabetit shërimin, s’po i gjej dot shërimin stresit që më solli ky hetim, nuk do shëroj dot më trurin nga kjo. Unë bëj zbulime shkencore, nuk merrem me tendera”, ka deklaruar ai.
Zëvendës rektori tha se për shkak të hetiumeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar disa zyrtarë kanë lënë punën. Ai shtoi se për shkak të kësaj që ndodhi, stafi nuk do të angazhohet me tendera.
“Që kur filloi hetimi i SPAK disa u larguan nga puna dhe me këtë që po ndodh edhe po të jetë ligjore nuk do angazhohemi më tendera. Kjo do të thotë se në institucionet e kërkimit shkencor të pezullohet puna”, tha ai.
Nga ana tjetër zëvendës rektorja Romina Koto ka deklaruar se ajo ka dhënë ide inovative për universitetin, por për shkak të kësaj u vendos nën hetim.
“Unë kam dhënë idenë e dixhitalizimit të laboratorëve që në çdo kohë të kishte akses, dhe vetëm se dhashë këtë ide jam këtu. Për këtë inovacion, pa bërë asnjë veprim u vendosa nën hetim”, tha Koto./ZËRI