Aktualitet

RTSH NË KOLAPS/ Eni Vasili: Pushimet nga puna të Alfred Pezës, 730 mijë euro dëm, ku shkuan fondet?

Vasili i është drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, me një kërkesë për mbështetje financiare prej 200.000.000 lekësh shtesë nga Buxheti i Shtetit.

zh.ll
RTSH NË KOLAPS/ Eni Vasili: Pushimet nga puna të Alfred Pezës,
Eni Vasili

TIRANË- Drejtoresha e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, ka konfirmuar që institucioni që drejton prej pak muajsh është në një krizë, që kërcënon seriozisht funksionimin e tij normal. Drejtoresha ka ngritur alarmin për gjendjen kritike, ku në një komunikim të brendshëm me strukturat financiare të institucionit ka theksuar rrezikun për pamundësinë e shlyerjes së pagave ndaj punonjësve kontraktorëve të jashtëm. 

Vasili i është drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, me një kërkesë për mbështetje financiare prej 200.000.000 lekësh shtesë nga Buxheti i Shtetit. Ajo pranon se kjo gjendje është si pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimi nga drejtuesit e paraardhshëm, duke përfshirë periudhën e emërimit dhe shkarkimin të Alfred Pezës. Një dëm i përllogaritur që kap vlerën mbi 8 milionë euro, ose rreth një e treta e buxhetit vjetor të RTSH-së, që financohet me rreth 25 milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i shtetit.

“Gjendja aktuale është pasojë e një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie në drejtimin e RTSH-së, që përfshiu shkarkimin e Alfred Pezës, rënien e Këshillit Drejtues dhe drejtimin e përkohshëm të institucionit”, është shprehur Vasili. 

Sipas të dhënave të paraqitura nga RTSH në Ministrinë e Financave, zbulohet se institucioni ka pësuar humbje të konsiderueshme. Pothuajse vetëm nga proceset gjyqësore të hapura nga punonjës të larguar në mënyrë të paligjshme, RTSH ka humbur deri më 31 maj mbi 730 mijë euro në pagesa detyruese, të cilat mund të arrijnë mbi 4 milionë euro bashkë me çështjet në pritje. Rreth 4 milionë euro humbje vjen edhe nga kontrat për të drejtat televizive, gjysma e të cilave janë shpenzime të pa planifikuara dhe jashtë buxhetit vjetor të miratuar. 

E gjendur përballë kësaj situate, Vasili, megjithatë kërkon të riktheje besimin e publikur ndaj televizionit shtetëror. Për këtë, ajo do të kërkojë një auditim të plotë të strukturës dhe projekteve të institucionit, për të kuptuar se ku kanë përfunduar fondet publike. 

Gazetarja dhe moderatorja, Eni Vasili është zgjedhur drejtoreshë e Radio Televizionit Shqiptar. Gazetarja u vendos në krye të RTSH, duke siguruar 7 votat e nevojshme. 

Debati për garën e drejtuesit të ri të RTSH, nisi pas largimit të Alfred Pezës nga detyra. Për kreun e RTSH garuan: Harilla Koçi; Jetmir Shpuza; Enrik Mehmeti; Floriana Paskali; Eni Vasili; Ermal Hoxha; Aurora Polo; Kliton Rama; Flamur Buçрарај dhe Laureta Roshi. Por, 8 prej tyre u skualifikuan dhe në raundin e dytë kaluan vetëm dy: drejtuesja e komanduar Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza.

Në garë u gjetën parregullsi, gjë që solli edhe reagimin e partive politike (PS dhe PD), ku kërkuan zgjedhje të drejta. Po ashtu, edhe ndërkombëtarët bënë thirrje për transparencë në këtë garë. Pas kësaj ndërhyri Kuvendi i Shqipërisë ku vendosi shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së./ZËRI

Poll

MOS HUMB